Sporti

Liverpool përsëri gabon, barazon në udhëtim me West Ham United

Liverpool ka bërë gabimin e dytë brenda pak ditësh, duke barazuar 1-1 me West Ham United.

Ndeshja nisi më mirë për vendasit të cilët patën dy raste të mira shënimi.

Fillimisht Chicharito rrezikoi portën e mysafirëve në minutën e tretë, ndërsa pas pesë minutave tentoi shënimin e golit edhe Creswell por pa sukses.

Rastin e parë për The Reds e pati Roberto Firmino, por që goditja e tij nuk ishte e saktë.

Golin e epërsisë Liverpool e gjeti në minutën e 22-të kur shënoi Sadio Mane nga afërsia pas asistimit nga James Milner.

Por epërsia e The Reds nuk zgjati më shumë se gjashtë minuta, pasi vendasit barazuan nëpërmjet Antonios pas një skeme të mirë organizuar.

Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë ishte më e balancuar me të dyja skuadrat që kishin kujdes dhe nuk rrezikonin shumë.

Në 20 minutat e fundit të ndeshjes, Jurgen Klopp bëri zëvendësime duke inkuadruar në lojë Xherdan Shaqirin dhe Divock Origin, por që as këta dy nuk arritën të bënin diferencën.

Kësisoj deri në fund të ndeshjes nuk pati më gola dhe dy skuadrat u desh të pajtoheshin me nga një pikë.

Liverpool edhe pas këtij barazimi vazhdon të qëndroj në krye të tabelës me 62 pikë të tubuara, tri më shumë se Manchester City.

Në anën tjetër West Ham United zë pozitën e 12-të në tabelë me 32 pikë pas 25 javëve.

Ndeshjen e radhës, West Ham do ta luajë derbin londinez përballë Crystal Palace.

Ndërkohë Liverpool do të kërkojë fitore para tifozëve të vet përballë ekipit të papërshtatshëm Bournemouth.