Lajme

Lista Serbe takim me Vuçiç-in në kazermë të ushtrisë

Përfaqësuesit e Listës Serbe, partisë politike që ka fituar shumicën e votave serbe në Kosovë, do të udhëtojnë për në Serbi, që të takohen me presidentin serb.

Aleksandër Vuçiç do t’i pres “në kazermën ‘Kryengritja Toplica’ në qytetin e Kursumlijsë”.

Kështu bëjnë të ditura mediat serbe, bazuar në njoftimin zyrtar nga Shërbimi për Bashkëpunim me Mediat i Presidentit të Serbisë.

Takimi, siç është njoftuar, pritet të fillojë në orën 11:00.

Temat e takimit zyrtarisht nuk janë bërë të ditura, por pritet që të bisedohet rreth zgjedhjeve në Kosovë dhe qëndrimeve paszgjedhore që do të mbajë Lista Serbe.

Kjo parti është formuar nga vetë presidenti Vuçiç dhe kontrollon votën e serbëve në Kosovë.

Ata kanë krijuar monopol duke u shndërruar në alternativën politike serbe që merr shumicën dërrmuese të votave dhe gjithashtu të gjitha ulëset e rezervuara – 10 gjithsejtë – për minoritetin serb në Kosovë.

Në këto zgjedhjet e fundit, Lista Serbe, ka bërë një agresion kushtetuese, duke urdhëruar votuesit serbë që të mos i votojnë vetëm kandidatët e Listës, por ta shpërndajnë votën edhe për kandidatët të komuniteteve të tjera, të cilët janë marrë vesh që të mbështesin më pas politikisht Listën.

Kështu, kandidatët boshnjakë e romë të partive të ndryshme, kanë marrë vota në lokalitetet ku jetojnë vetëm serbë dhe historikisht s’ka votues as boshnjakë e as romë.

Deformimi i vullnetit të qytetarëve ka alarmuar partitë shqiptare, megjithatë janë treguar të pafuqishme të pengojnë strategjinë e serbëve.

Tani, në legjislaturën e ardhshme, pritet që përveç 10 deputetëve të vetë, lista të kontrollojë edhe tre ose katër deputetë të komuniteteve të tjera.

Megjithatë, pas presionit të madh publik dhe shkrimeve të shumta të mediave, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.

Vetë Hoxhiq, edhe në një intervistë për Albanian Post, pati mohur se ka ndonjë marrëveshje me Listën. Thoshte se votat mbase kanë ardhur për shkak të punës së saj në venbanime serbe.