Lista Serbe reagon ndaj vendimit të PZAP-së për anulimin e votave të ardhura nga Serbia
Lista Serbe e ka quajtur politik dhe pa bazë ligjore vendimin që sot mori Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, për të anuluar votat e ardhura nga Serbia.
Në reagimin e saj, Lista Serbe ka thënë se i njëjti panel ankesash kishte refuzuar dy herë kërkesat për këto vota “dhe pasi u bë e qartë se pothuajse se të gjitha këto vota i përkasin Lista Serbe, në Prishtinë dolën me idenë e anulimit të atyre votave’.
“Vendimi për të mos lejuar serbët e zhvendosur të drejtën të zgjedhin se kush do të përfaqësojë interesat e tyre dhe të luftojë për kthimin e tyre është thjesht i motivuar politikisht dhe nuk ka asnjë bazë ligjore. Sidomos nëse të gjithë e dimë se zërat e të zhvendosurve kanë ardhur gjithmonë në të njëjtën mënyrë, por këtë herë është e qartë se personave të zhvendosur duhet t’u tregohet se nuk janë të mirëpritur dhe se si serbë ata mund të konsiderojnë se të drejtat e tyre nuk do të respektohen “, thuhet në deklaratë, transmeton televizioni publik.
Kjo parti po ashtu ka thënë se pavarësisht vendimit, ajo ka fituar të dhjetë mandatet për komunitetin serb.