Lajçak në Beograd: Për Asociacionin është rënë dakord, duhet të realizohet
Çdo gjë që është dakorduar, duhet të zbatohet, tha të enjten në Beograd i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë ka pasur pajtim, ai “është nënshkruar dhe duhet të realizohet”, tha ai.
“Hapi i radhës është të flitet për statutin e Asociacionit”, tha diplomati sllovak në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Duke folur në gjuhën serbe, Lajçak tha se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është në interesin e të dy popujve dhe të rajonit.
Sipas tij, parimi i tërë këtij procesi “është që në fund të mos ketë çështje të hapura ose të pazgjidhura”.
Lajçak tha se nuk dëshiron të japë “afate artificiale” se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare midis palëve, por shtoi se BE-ja do të ndihmojë që procesi të shkojë shpejt – “aq shpejt sa palët janë të gatshme të shkojnë”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkuar në Bruksel, në vitin 2013.
Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Javëve të fundit, zyrtarët në Kosovë kanë përsëritur vazhdimisht se Asociacioni është temë e mbyllur dhe se për të nuk do të flitet më.
Lajçak, i cili qëndroi në kryeqytetin serb pas dy ditësh në Prishtinë, tha se nga “25 takimet” që ka pasur me zyrtarët kosovarë, “asnjë bashkëbisedues nuk ka thënë se nuk do t’i përmbushin obligimet”.
Lajçak tha se zyrtarët kosovarë nuk kanë thënë “jo” as për ndryshimin e Kushtetutës.
“Qëllimi është normalizimi i marrëdhënieve. Se çfarë do të thotë normalizimi, duhet të merren vesh dy palët”, tha Lajçak, për të shtuar se roli i BE-së është të ndihmojë, e jo të detyrojë.
Presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha se në takim me Lajçakun ka këmbëngulur në zbatimin e plotë të marrëveshjes së vitit 2013 me Kosovën, e cila përfshin edhe formimin e Asociacionit.
“Tani do t’ju jap një akt, për të cilin flitet pak dhe, deri më tani, askush nuk e ka parë në publikun serb. Ky është një plan për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila përbëhet nga gjashtë elemente. Pika e parë – rregullimi i kornizës ligjore, pika dy – Asociacioni dhe bashkësia, pika tre – policia, pika katër – gjyqësori, pika pesë – zgjedhjet lokale, pika gjashtë – dispozitat e përgjithshme”, tha presidenti serb.
“Sado bisedime të vështira që kemi, është më mirë që t’i kemi ato, sepse kur nuk flasim, druaj se mund të vijë deri tek incidentet”, shtoi Vuçiq, duke theksuar gatishmërinë e tij për dialog “kurdo që Lajçak ta caktojë takimin”.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, janë takuar për herë të fundit në Bruksel, më 7 shtator.
Një takim tjetër, i planifikuar po në shtator, është anuluar, për shkak të, siç është thënë, situatës së krijuar me koronavirus.
Kosova dhe Serbia kanë nisur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011.
Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga BE-ja, ndërsa është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Muajin e kaluar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike.