Bota

Kush kthehet në Zvicër nga Kosova duhet të vetizolohet

Kosova është përfshirë në listën e vendeve me rrezik të lartë për koronavirus nga autoritetet e Zvicrës. Kjo nënkupton që kushdo që shkon nga Kosova në Zvicër, i nënshtrohet masës së vetizolimit prej dhjetë ditësh.

Masa hyn në fuqi më 6 korrik.

Sipas autoriteteve zvicerane, masa ka hyrë në fuqi për të parandaluar një valë të dytë të koronavirusit në shtetin që ditëve të fundit ka parë rritje të konsiderueshme të rasteve të reja.

Vendimi po ashtu thekson se punëdhënësit nuk janë të obliguar të vazhdojnë të paguajnë ata që janë të detyruar të vetizolohen pas pushimeve.

Pos Kosovës, në këtë listë nga Ballkani janë përfshirë edhe Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Lista përfshin 29 shtete.

Deri tash në Zvicër, të regjistruar si të infektuar janë 32 mijë qytetarë, sipas të dhënave të universitetit “Johns Hopkins”. 1965 është numri i të vdekurve.