Kurti tregon kushtet për Asociacionin, reciprociteti me të drejtat e shqiptarëve në Serbi njëri nga kushtet
Kryeministri Albin Kurti ka përmendur sot pesë kushtet që duhet të plotësohen për të konsideruar më pas edhe themelimin e Asociacionit.
Këto kushte Kurti i ka prezantuar të enjten, gjatë seancës së Kuvendit, ku mes të tjerash ka përmendur edhe “dorëzimin e armëve ilegale në veri”, por edhe reciprocitet në të drejta mes serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi.
“Që përveç Kushtetutës dhe ligjit, janë edhe pesë kushte të tjera; monoetnik nuk bën, reciprocitet midis Kosovës dhe Serbisë sa u përket drejtave pakicave, shuarje e strukturave dhe dorëzim të armëve ilegale, zbatimi vetëm pas njohjes reciproke dhe në përputhje me OKB-në, ku Serbia duhet t’i ketë pranuar parimet dhe raportet ndërshtetërore me neve”, tha Kurti.
Ai përmendi letrat që presidenti serb Aleksandar Vuçiq ua ka dërguar pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilat tha se duhet të tërhiqen.
“Presidenti i Serbisë t’i tërheqë ato pesë letra që i ka dërguar në Spanjë, Greqi, Qipro, Sllovaki dhe Rumani”, tha Kurti në Kuvend.