Lajme

Kurti thotë: Thaçi dhe Vuçiç kanë ujdinë e brendshme për shkëmbim territorial

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur gjerësisht në “Ilva Now” mbi klimën politike në Kosovë dhe çështjet aktive, që sot janë kthyer në kryefjalë të mediave, por jo vetëm. Kryeministri në detyrë hodhi akuza ndaj Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, për të cilin tha se ka krijuar një ujdi të brendshme me homologun e Serbisë, Aleksandër Vuçiç mbi projektin e ndarjes së Kosovës.

Ai theksoi se për herë të parë në këtë shekull janë dy politikanë (Thaçi dhe Vuçiç), të cilat nuk kanë ndërmjetësim ndërkombëtar për çështjen Kosovë-Serbi. Zoti Kurti tha më tej se projekti për ndarjen e Kosovës është i papranueshëm në radhë të parë për të si kryeministër në detyrë, por edhe si shqiptar dhe si qytetar.

“Kemi herën e parë në këtë shekull që një lider i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë ndërmjetësim ndërkombëtar. Ata kanë hyrë në ujdinë e brendshme për çështjen e shkëmbimit territorial, që për mua është një eufemizëm për ndarjen e Kosovës. Ndarja e Kosovës është projekt i kamotshëm i Serbisë dhe ai merr forma të ndryshme.Të gjitha këto janë ambalazhe të ndryshme të të njëjtit plan, që është ndarja e Kosovës dhe kjo është e papranueshme për mua si kryeministër, si shqiptar dhe si njeri”, u shpreh Kurti.

Gjithashtu Albin Kurti u shpreh se ata që kanë lançuar apo iniciuar ndarjen apo shkëmbimin territorit mes Kosovës dhe Serbisë do të marrin si këmbim “turpin e madh”, ndërsa shtoi se Kosova do ta gëzojë të gjithë territorin e saj.

“Ata që lançuan projektin e shkëmbimit territorial do t’u ngelet turpi, ndërsa Kosovës komplet territori i saj. Ne nuk duhet të japim, ne kemi vuajtur dhe kemi aq shumë humbje në njerëz”, shtoi Kurti.