Kurti priti Valdete Dakën, KQZ-ja e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.
Sipas njoftimit të zyrës për shtyp të kryeministrit, në takim është diskutuar për funksionimin e këtij institucioni dhe për ngritjen e bashkëpunimit në çështje të ndërlidhura me Qeverinë.
“Ndonëse në kohë pandemie, KQZ-ja është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional. Daka e njoftoj kryeministrin në detyrë që përgatitjet për zgjedhjet për kryetar të komunës së Podujevës, edhe pse janë ndërprerë, me vendimin e marrë më 14 mars të këtij viti, KQZ-ja është e gatshme që ta mbajë këtë proces zgjedhor”, thuhet në njoftim.
Kryeministri në detyrë Kurti ka njoftuar të parën e KQZ-së për lirimin e masave ndaj COVID-19.
Është bërë e ditur se Kurti ka shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë për forcimin e bashkëpunimit me KQZ-në dhe nevojën që ka vendi ynë për zhvillimin demokratik të institucioneve përmes transparencës dhe pavarësisë së tyre.