Kurti priti sot liderët nga Lugina, i përgëzon për unifikim dhe ju shfaq përkrahje maksimale për zgjedhjet parlamentare
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka pritur në kabinetin e tij liderët e partive shqiptare që garojnë në zgjedhjet parlamentare në Serbi në listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”
Në takim ishin prezent Shaip Kamberi (PVD), Ragmi Mustafa (PDSH), Shqiprim Musliu (LPD), Naser Aziri (UDSH), Armend Aliu (AL). Bashkë me liderët e partive politike, në takim prezentuan edhe këshilltarja e kryeministrit për Luginë Ardita Sinani si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Nevzad Lutfiu.
Kryeministri Kurti në takim ka folur në superlativ për përfaqësimin e shqiptarëve në parlament nga ana e deputetit Shaip Kamberi si dhe për liderët e partive politike që u unifikuan për një qëllim kombëtar.
Ndërsa deputeti Shaip Kamberi pas takimit ka deklaruar se shqiptarët nuk duhet të mbesin pa zërin e tyre në parlament.
“Shqiptarët e diskriminuar të Luginës nuk duhet e nuk guxojnë të mbesin pa zë përfaqësimi e pa përfaqësim të zëshëm.
Sot, bashkë me partnerët e listës “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”, në Prishtinë takuam kryeministrin Kurti të cilin e njoftuam për ecurinë e procesit të zgjedhjeve parlamentare të 17 dhjetorit.
Njoftuam kryeministrin për rëndësinë e vazhdimit të përfaqësimit të shqiptarëve në parlament.
Prandaj është me rëndësi që në zgjedhjet e 17 dhjetorit të vazhdohet përfaqësimi i drejtë e i denjë atje.
Duhet që shqiptarët e Luginës, me votë, të sigurojnë përfaqësimin parlamentar dhe të vazhdojnë betejën politike për drejtësi e barazi” ka deklaruar Kamberi