Lajme

Kurti: Përgjegjësit për zhdukjen e Hotit janë në Serbi, duhet të dënohen

Në 21-vjetorin e zhdukjes së veprimtarit Ukshin Hoti, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se përgjegjësit për zhdukjen e tij janë në Serbi e se ata duhet të gjykohen e të dënohen.

Kurti përmes një videoje të postuar nga burgu i Prishtinës, ku edhe ishte mbajtur një kohë Hoti, ka thënë se “nuk mund të gjejmë një personalitet të shumansëm në historinë tonë kombëtare sikurse Ukshin Hoti”.

“Përgjegjësit për zhdukjen e Ukshin Hotit, për rrëmbimin e tij pas lirimit janë në Serbi. Ata duhet të kapen, gjykohen e dënohen. E vërteta për profesor Hotin, për bacën Ukë të zbardhet dhe drejtësia të bëhet”, ka thënë ai në mes tjerash.

Ndërkohë, përmes një njoftimi për media, Zyra e Kryeministrit, ka bërë të ditur se Kurti ka takuar sot, i shoqëruar nga Enver Dugolli dhe Liburn Aliu, disa prej miqve të Hotit, Sherif Konjufcën, Ekrem Kryeziun, Ali Kryeziun, Mentor Kacin.

“Biseda mbuloi që prej kujtimeve të burgut deri në rrethanat e inteligjencës politike. Aliu, Ekremi dhe Mentori kanë qenë të dënuar bashkë me Ukshinin në vitin 1981. Enveri dhe Liburni kanë qenë shokët e burgut të Dubravës, prej ku edhe u zhduk Ukshin Hoti. Ali Kryeziu tha dy përcaktime. Ukshini ka qenë ideolog, jo politikan. Sepse nuk mund ta thjeshtosh kurrë kompleksitetin e dijes së tij në analizues rrethanash, por vetëm ta ndeshësh si sintetizues politike. Ai ka qenë pra më shumë se ç’mund të themi për të. Ishte në natyrën e tij, si mendues e veprues, të trondiste çdo konceptim me një artikulim që e përmbyste dëshirën për me u vendos në një marrëdhënie të qetë me kohën”, thuhet në njoftim të zyrës për media të Qeverisë.