Kurti për Serbinë: Jemi gati ta zgjasim dorën nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet e tyre
Në Forumin e Parisit për Paqe, kryeministri Albin Kurti foli për të arriturat e shtetit të Kosovës dhe se si është menaxhuar kriza ekonomike e shkaktuar pas agresionit rus në Ukrainë.
Ai po ashtu akuzoi Serbinë se nuk është as demokratike e as e pavarur në ditën e sotme, duke thënë se është një regjim që udhëhiqet nga kisha ortodokse dhe dominohet nga shteti i Putinit, dhe se fatkeqësi është që nuk është vënë në linjë me Bashkimin Evropian dhe ShBA-të në qëndrimet ndaj Rusisë, por vazhdon të jetë forca hegjemone rajonale në Ballkan.
Megjithatë, Kurti u shpreh se Kosova kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore me Serbinë fqinje dhe se “jemi gati të zgjasim dorën për një vend që ka kryer gjenocid ndaj vendit tonë nëse ata janë gati t’i çlirojnë grushtet e tyre”.
Ajo që nuk ofrojmë më është koncesioni për të ndarë vendin tonë në vija etnike. Por nëse Serbia nuk është gati që të na njeh, sepse kështu e kanë thënë, pesë shtete të tjera anëtare të Evropës nuk kanë nevojë të presin, mund ta ndihmojnë Serbinë që të na pranojë më shpejt nëse ata na pranojnë fillimisht”, deklaroi ai.
Kryeministri përmendi edhe faktin që përreth kufijve të Kosovës në Serbi, në të ashtuquajtura zona të sigurisë që është pesë kilometra, që prej ndërhyrjes së NATO-s ekzistojnë 48 baza të veprimit me qindra mijëra ushtarë serbë, e 28 prej tyre janë xhandarmeri .
“Pra është rrezik mjaft i madh për vendin tonë. Jemi shumë vigjilent por asnjëherë të frikësuar. Kosova e ka NATO-n brenda saj. Pasi të kemi fituar njohje nga pesë vendet anëtare mosnjohëse, ne menjëherë do t’i bashkohemi NATO-s në rrugën më të shkurtër të mundshme”.