Lajme

Kurti për Blick: Nuk frikësohem nga detyra, besimin e kam marrë nga qytetarët

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për gazetën e njohur zvicerane “Blick”, ka bërë prezantimin e prioriteteve të qeverisë së re të Kosovës të formuar më 3 shkurt.

Kurti në këtë intervistë ka përmendur se përderisa gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet ai dhe vartësit e tij nuk do të kenë kohë të lirë, madje duke punuar edhe në vikend dhe jashtë orareve të zakonshme.

Kurti shtoi se ai nuk ndihet i rrezikuar nga detyra që ka marrë, sepse këtë e ka marrë nga qytetarët.

“Qytetarët kanë vënë rregullat e lojës. Tani ka marrë fund. Nuk ka lojë pa rregulla. Nuk kam pse të frikësohem nga detyra. Besimin e kemi nga qytetarët. I kam përzgjedhur 15 ministra, nga ato pesë femra “-shtoi Kurti.

Albin Kurti tha poashtu se do të punoj edhe barazinë gjinore edhe në punësim.

“Do të bëjmë përpjekje tutje që të shtojmë numri e çerdheve në Kosovë. Kështu secila femër do të kishte më shumë mundësi të punonte. Kjo do të kontribuonte edhe në edukimin e brezave të ardhshëm. Aktualisht janë 33 çerdhe, ne do të përpiqemi që këtë numër ta arrijmë në 150 “- tha ai.

Ndër të tjera numri një i qeverisë theksoi se korrupsioni nuk është kulturë e Kosovës.

“Korrupsioni është tek pozitat kyçe të shtetit. Po të ishte përhapur gjithandej, opozita nuk do të mund të fitonte asnjëherë “-përfundoi Kurti.