Kurti: Për 2 vjet qeverisje, në Kosovë s’ka korrupsion
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në dy vjetët e qeverisjes së tij, në Kosovë nuk ka pasur korrupsion. Kreu i ekzekutivit këtë e ka prezantuar si një sukses përpara kryetarëve të qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje me të cilët pati një takim të shtunën.
Sipas njoftimit të VV-së, përveç që s’ka pasur korrupsion, Kurti ka thënë se në këto dy vjet është rritur edhe mirëqenia qytetare.
“Në mars të këtij viti bëhen 2 vite të qeverisjes së mirë me Republikën, pa korrupsion, me investime në rritjen e mirëqenies qytetare, me reformat rrënjësore në të gjithë sistemin institucional të Republikës tonë, e me përfaqësim dinjitoz si asnjëherë më parë në politikën e jashtme”, ka thënë Kurti.
Në këtë takim më pas u diskutua për planifikimin e aktiviteteve të qendrave të VV-së nëpër Kosovë dhe mërgatë. U premtua angazhim e dinamikë më e madhe pas daljes së strukturave të reja të kësaj partie nga procesi i brendshëm zgjedhor.