Lajme

Kurti: Nuk do të biem në grackë për ta kompensuar Serbinë për humbjet e Millosheviqit

Albin Kurti, në një intervistë për të përditshmen kroate “Jutarnji list”, ka thënë se Kosova, edhe kur ai të bëhet kryeministër, do të marrë pjesë në dialog, por nuk do të bijë në grackë që dialogu të kuptohet me logjikën transaksionale, sipas së cilës “duhet dhënë diçka për diçka”. Ai ka thënë se kjo logjikë ishte e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili nuk e njeh Kosovën, por interesohet se çfarë është e gatshme të japë Kosova së pari.

“Më vjen keq, por kjo është teza e presidentit të Serbisë, i cili diplomatëve të huaj u thotë se në fund do ta njohë Kosovën, por së pari do të dijë se çka do të japë Kosova. Pra, ai dëshiron të dijë se çfarë është e gatshme Kosova për të dhënë, e në të njëjtën kohë nuk e njeh – ne nuk do të bimë në atë grackë. Duhet të dalim nga logjika transaksionale, në atë trans-atlantike dhe transformuese. Raportet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të bazohen në barazi dhe reciporcitet. Le të jetë dialogu në të ardhmen serioz dhe i sinqertë dhe palët t’i paraqesin qëndrimet e tyre në mënyrë transparente dhe demokratike. Dialogu në të ardhmen duhet të vendoset në atë mënyrë që qytetarët të jenë përfitues, e jo në mënyrë që një politikan i caktuar ta ruajë fytyrën e një tjetër lëkurën. Për këtë arsye mendoj se duhet ta ndryshojmë qasjen e jo ta pranojmë logjikën ‘çka jep ti që të marr unë’. Siç ka thënë presidenti Biden, dialogu duhet ta ketë qëllim njohjen e ndërsjellë, e jo logjikën transaksionale, e cila solli edhe deri tek ideja për shkëmbimin e territorit”, ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se një marrëveshje do ta transformonte edhe Serbinë edhe Kosovën dhe, siç u shpreh ai, “13 vjet pasi Kosova u pavarësua, ka ardhur koha që tash edhe Serbia të pavarësohet nga Kosova”.

Në pyetjen e përsëritur se çfarë mund të japë Kosova, sepse edhe në Bruksel disa qarqe mendojnë se “Serbia duhet të përfitojë diçka nga dialogu”, Kurti është përgjigjur se ai “nuk ka mirëkuptim për lotët për humbjet e Serbisë së Millosheviqit, e aq më pak për logjikën se tash këto humbje duhen kompensuar”.

Ai ka thënë se “Ballkani sot nuk ka nevojë për ide të shekullit XIX”.

Kurti ka thënë se Serbia e sotme duhet të distancohet nga Millosheviqi, e jo të kërkojë kompensim për humbjet e tij, sepse në këtë mënyrë prapë po identifikohet me atë politikë.

Kurti në këtë intervistë edhe një herë ka sqaruar se çfarë ka menduar kur ka thënë se dialogu me Serbinë nuk është ndër prioritetet kryesore. Ai ka thënë se mund ta lëvizë këtë prioritet nga pozita e gjashtë apo shtatë, ku e kanë vënë qytetarët sipas anketave në pozitën e katërt. Por jo më shumë, sepse tri prioritetet e para duhet të jenë pandemia COVID-19, sikur gjithkund tjetër, punësimi dhe drejtësia që kanë qenë zotime kryesore parazgjedhore.

Albin Kurti në këtë intervistë ka thënë se “nuk e nënçmon, por as nuk e tejçmon dialogun”.

Ka thënë se do të bisedojë për koalicion me deputetët e pakicave joserbe, e edhe me ndonjë serb që fiton eventualisht mandate e nuk vjen nga Lista Serbe. Këtë të fundit e ka përjashtuar nga kombinimet, për shkak se e sheh si “instrument të Beogradit” dhe për shkak se në mars 2020 pjesëtarë të saj kishin votuar për rrëzimin e qeverisë, edhe pse në asnjë moment nuk kishin shprehur asnjë vërejtje.

Kurti në këtë intervistë është shprehur optimist se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë e suksesshme dhe, siç është shprehur ai, “më e lehtë sesa mendohet”. Sipas tij, “korrupsioni në Kosovë nuk është në shoqëri, por në institucione – dhe atë në majën e institucioneve”. Ka përmendur sidomos nevojën për ligjin anti-mafia, atë për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe të pajustifikueshme, si dhe vetingutn në prokurori, gjykata, nivele të larta të policisë dhe shërbime të inteligjencës.

I pyetur për bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, pasi në fillim të lëvizjes së tij i kishte sulmuar disa prej tyre, përfshirë edhe EULEX-in, Kurti ka thënë se pret që tash bashkësia ndërkombëtare ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për të kryer një punë që, sipas tij, “ishte e tyre dhe nuk e kryen”. Ai tha se “pasurinë e pajustifikueshme, duke u bërë ndër njerëzit më të pasur, disa politikanë në Kosovë e kanë krijuar para syve dhe hundëve të UNMIK-ut dhe EULEX-it” dhe se “kjo dëshmon se edhe kritikat ndaj tyre kanë qenë të justifikueshme”.