Kurti: Me Kosovën, KiE fiton një demokraci të re e të gjallë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi Kosova ka kaluar edhe një pengesë drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës.
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës.
Kurti ka thënë se me Kosovën, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!” – ka shkruar Kurti në Facebook.