Kurti kërkon falje që nga sot s’është hequr tarifa pjesërisht
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka kërkuar falje për dy veprime. E para, sipas tij, është që nuk ka arritur të heqë tarifën ndaj mallrave serbe për lëndën e parë që importohet, dhe e dyta, që nuk ka respektuar urdhëresën për distancë fizike mbi një metër me njerëzit tjerë në kohën e koronavirusit.
Kurti ka thënë se nuk ka arritur ta bindë partnerin qeverisës, LDK-në, për heqjen e pjesshme të tarifës. Ka shprehur bindjen se zëvendësimi i tarifës me reciprocitet është mënyra më e mirë për vendin.
Për kërkimfaljen e dytë ai ka thënë se nuk ka respektuar urdhëresën për distancë fizike në kohën e koronavirusit, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, që përfundoi në orët e para të së dielës.
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë,
Sot, me datë 15 mars 2020, është dashur që të hiqet tarifa 100% në lëndën e parë që importohet nga Serbia. Kjo nuk do të ndodhë sepse qëndrimi im i shprehur më 26 shkurt 2020 ndërkohë nuk u bë vendim. Më vjen keq për këtë. Ende nuk kam arritur ta bind partnerin tonë të koalicionit qeverisës, LDK-në, për atë që vetë jam i bindur: zëvendësimi gradual i tarifës me reciprocitetin është mënyra më e mirë, më e drejtë dhe më e dobishme.
Seanca e djeshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës që nisi pasdite e përfundoi pas mesnate, nuk respektoi urdhëresat për distancë fizike mbi një metër midis njerëzve në kohën e pandemisë së virusit Corona. Me zëvendës-kryeministrat e mi tërë kohën isha më afër se aq, e nganjëherë edhe përgjatë bisedave të ndryshme teksa diskutonim mbi buxhetin 2020 të cilin e aprovuam mbrëmë. Më vjen keq për këtë dhe ju kërkoj falje.
Përzemërsisht,
Albin Kurti