Kurti i reagon Thaçit për faljen e vrasësit të 13-vjeçarit që ishte edhe dëshmitar në rastin Dehari
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka reaguar ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për faljen e dënimit të personit që vrau një 13-vjeçar dhe axhën e tij, raporton Gazeta Express
“Më 31 korrik, Ditën e Kurban Bajramit, morëm vesh se presidenti i Republikës së Kosovës fali pjesërisht dënimet e shtatë të dënuarve me burg. Njëri prej këtyre shtatë të burgosurve ishte dënuar për vrasje të dyfishtë: atë të një fëmije 13 vjeç dhe xhaxhait të tij. Natyrisht që kjo nuk është hera e parë që presidenti ka falur të dënuar, por është përtej imagjinatës të falet një i dënuar për vrasje të dyfishtë, e aq më tepër kur njëra prej viktimave ka qenë i mitur”, ka shkruar Kurti në Facebook, duke shtuar se personi që fali presidenti kishte qenë dëshmitar në rastin e Astrit Deharit.
“Por, sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, dje kemi marrë vesh një detaj tjetër lidhur me këtë rast: pikërisht ky vrasës është dëshmitar i vdekjes së Astrit Deharit.
Ne s’i dimë ende arsyet e vërteta pse presidenti i Republikës ia ka shkurtuar dënimin një vrasësi të dyfishtë, i cili për më tepër i ka marrë jetën një fëmije 13 vjeç. Mirëpo, ka mjaft persona që mund t’i dinë këto arsye, duke nisur nga vetë presidenti, anëtarët e Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e kërkesave për falje e deri tek i dënuari në fjalë”, ka thënë ai.