Kurti fton Abdixhikun për konsulta para konstituimit të Kuvendit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në një takim për konsulta paraprake, në prag të konstituimit të Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në letrën të cilën e ka siguruar KOHA, Kurti e ka ftuar Abdixhikun për takim të mërkurën ose të enjten.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe Presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, shkruhet në letër.
E pas publikimit të letrës, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, ka thënë se organet e partisë do të vendosin për të shkuar apo jo në takim. Po ashtu ajo ka përsëritur për “KosovaPress” se qëndrimet e LDK-së për koalicionin me VV-në “janë të qarta”.