Kurti dhuron gjysmën e pagës për menaxhimin e situatës me COVID-19
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka njoftuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dhuruar gjysmën e rrogës së tij, për menaxhimin e Covid-19.
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se në këtë kohë diaspora po vazhdon t’i përgjigjet thirrjes për mbështetje financiare.
“Në kohën kur sfida është e përbashkët ashtu sikurse edhe qëllimi, solidariteti ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm nevojë, por edhe detyrim. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka dhuruar 50% të pagës së tij, përkatësisht 684.83 EUR, për menaxhimin e COVID-19. Ndërkohë, diaspora po vazhdon t’i përgjigjet thirrjes për mbështetje financiare”, ka shkruar ai.
Sipas tij, deri më tani, ndihma e ardhur nga diaspora ka kaluar vlerën monetare prej 300.000 euro.
“Diasporës i garantojmë transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e mjeteve të dhuruara, dhe u jemi falënderues gjithmonë dhe gjithnjë. Qeveria Kurti është e përkushtuar që të fuqizojë rolin e mërgatës në vend, dhe për këtë jemi zotuar në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai.