Magazina

“Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë”

(Duhet të bëhesh i butë si lepuri, duhet të përtypësh si bualli, si sojka duhet ta ndërrosh gjuhën. – Mundesh?…)

– Si shpërblim do të të japin mish të butë, pa eshtra; do të lahesh në bazene qumështi, do të të dëfrejnë me lavire barkbuta; pallati yt do t’ia kalojë qindra herë kullës sime, por do të lodhesh duke pritur diellin tënd, qielli yt mund të mbetet sterrë i zi dhe, siç është e natyrshme, do të vijë fundi. Mund të ndodhë edhe një gjë, para se të vijë fundi: Kur s’u duhesh më, kur t’ua prishësh terezinë, do të të hedhin si letrën e ndyrë. Çka do të ndodhë me të vërtetë nuk e di, por e di se do ta kesh vështirë, mundet edhe t’u lakmosh të vdekurve…

Pastaj të pyesin: Pse jetove?
Të pyesin: Pse e zgjodhe këtë rrugë?
Do të pyesin: Çka bëre?
Do të të akuzojnë për netët e gjata të robërisë,
Do të të akuzojnë për vuajtjet që u kanë rënë mbi kokë,
Do të të fajësojnë për çdo gjë që ke bërë
Dhe për atë që ke pasur mundësi ta bësh
E nuk e ke bërë.
Mund t’i përballosh akuzat, komandant i ri?

Do të të pyesin:
Pse flisje kur duhej të heshtje?
Pse heshtje kur duhej të flisje?
Pse e lavdëroje dreqin?
Pse i shaje pëllumbat?
Pse i trembje zogjtë?
Pse? Pse? Pse?
Rrebeshi i pyetjeve nuk do të ketë të sosur.
Gjyqi yt do të zgjasë shumë.
Mundesh, o komandant i ri?

Dhe mund të të akuzojnë për tradhti, për shëmtinë më të madhe me të cilën akuzohet njeriu.
Mund të qëndrosh, komandant?
Mund të qëndrosh, o njeri?…