Lajme

Kuçi akuzon Vetëvendosjen se po i mbështet votat e ardhura nga Serbia

Natyra Kuçi, anëtarja e PSD-së, që do të bëhej deputete në koalicionin me AAK-në nëse Nisma nuk hyn në Kuvend, ka akuzuar Vetëvendosjen për mbështetje të votave të ardhura nga Serbia.

Sipas rezultateve të para, Kuçi do të ishte deputetja e 14-të e këtij koalicioni, por me vendimin e PZAP-së ajo mbetet jashtë Kuvendit pasi Nisma ia merr një ulëse koalicionit.

Hyrja e Nismës ia merr edhe tri ulëse Vetëvendosjes, parti që sot u ankua në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së.

“Nëse hyn NISMA në Kuvend, unë s’do të bëhem deputete. Por asnjëherë, as për këtë çmim, nuk do t’i mbështes votat e Vuçiqit veç për t’u bërë vetë deputete. Kjo na dallon nga VV-ja, e cila për pak më shumë pushtet i pranon edhe votat e Serbisë – që i kundërshtonte zëshëm dikur. Votat e Serbisë në Kosovë nuk duhet të pranohen. Ky është qëndrim parimor pavarësisht çmimeve partiake”, ka shkruar ajo në Facebook.