Kryezyrtarët e kryekishtarët serbë në takim për Platformën e Kosovës
Në Patrikanën e Beogradit ka filluar takimi i presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, kryeministres Ana Bërnabiq e ministrit të Punëve të Jashtme Ivica Daçiqin me kreun e Kishës Ortodokse të Serbisë patriarkun Irinej dhe me anëtarët e Sinodit të KOS-it, njoftojnë medie të Serbisë.
Takimi, përcjell b92, po mbahet pasi Kosova ka miratuar Platformën për Dialog me Serbinë të cilën me zemërim e ka hedhur poshtë Beogradi, transmeton Koha.net.
Një ditë pas miratimit të Platformës presidenti serbe kishte tubua Këshillin për Siguri Kombëtare dhe aty ai kishte thënë se Serbia nuk pranon ultimatume nga Kosova.
“Nga bisedimet kurrë nuk kemi ikur, por të na shantazhoni e të na bëni budallenj – këtë film nuk keni për ta parë”, kishte thënë me demagogji e kërcënim Vuçiqi.
Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka shumë ndikimi te politika zyrtar e Serbisë, përsërit se e “gjithë Kosova është e Serbisë” dhe se “shqiptarët me ndihmën e ndërkombëtarëve” e kanë rrëmbyer Kosovën.