Lajme

Kryetari i Parlamentit të Serbisë: Për çfarëdo lloj dhune përgjegjës është Albin Kurti

Kryetari i Parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjegjës për “çfarëdo lloj dhune”.

Kështu është shprehur ai teksa ka folur për sulmet e fundit në Bansjkë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar i Policisë së Kosovës dhe një tjetër është plagosur.

Sipas tij, Kurti është ngutur duke i akuzuar serbët për ngjarjet në Banjskë.

“E keni parë reagimin e Albin Kurtit, i cili menjëherë filloi, nxitoi të akuzonte serbët, duke thënë se ishte një veprim i organizuar. Nëse flasim se kush është përgjegjës për çfarëdo lloj dhune – është ekskluzivisht Albin Kurti dhe këtë e dinë të gjithë. Dhe gjithçka që ai ka bërë në muajt e kaluar me terrorin më brutal të mundshëm që ka kryer kundër popullit duarzbathur serb, ai e bëri pikërisht sepse donte një përshkallëzim të hapur dhe sepse donte të shkaktonte dhunë”, ka thënë Orliq për mediumin serb “TV Prva”.

Ai theksoi se është e qartë se kush mund të jetë i kënaqur nëse ndodh ndonjë konflikt, veçanërisht nëse ai përfshin sakrifica njerëzore.