Të fundit

Kryetari i KKSH’së: FLAMURI KOMBËTAR DO TË VALOJË NË LUGINË!

Pas ngjarjes së ditës së djeshme ku policia serbe gjatë një ahengu familjarë kërkoi largimin e flamurit kombëtar nga shtëpia e z.Nazmi Hajredinit, kryetarit të OVL-UÇPMBS’së vjen edhe reagimi i kryetarit të KKSH’së, z.Ragmi Mustafa.

Ky i fundit, intervenimin e policisë e cilësoi të papranueshëm duke thënë se ky veprim përbën shkelje flagrante të të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

“Vetë intervenimi nga autoritetet policore në shtëpi private për ta ndalur flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare qoftë ato individuale, qoftë ato të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare”, shkroi z.Mustafa, përcjell Ministria e Lajmeve.

Reagimi i plotë i kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar:

Intervenimi i policisë tek kryetari i OVL UÇPMB-ës, Nazmi Hajredini për shkak të vendosjes së flamurit kombëtar në shtëpinë e tij, është i pa pranueshëm.

Kjo përbën shkelje flagrante të të drejtave të patjetërsueshme të njeriut.

Vetë intervenimi nga autoritetet policore në shtëpi private për ta ndalur flamurit kombëtar shqiptar është njollosje e tij nga shteti. Nuk i takon shtetit t’i përzgjedhë veçoritë identitare qoftë ato individuale, qoftë ato të bashkësive të ndryshme etnike/kombëtare.

Si sot, jo pak shqiptarë të Luginës nuk mund të jetojnë në vendlindje për shkak të ngritjes së flamurit kombëtar shqiptar. Shumë të tjerë përballen me procese gjyqësore e që dëshmon diskriminimin dhe shtypjen e shtetit ndaj diversitetit, të ndryshmes, asaj që nuk është serbe.

Ky rast dhe rastet tjera të regjistruara të abuzimit me përdorimin e autoritetit policor, flasin për karakterin demokratik të vetë shtetit, një shteti ku nuk ka të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, në shpërputhje edhe me konventat për të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve, të nënshkruara nga vetë ai.

Kjo politikë në emër të shtetit ligjor është në fakt politikë e dëbimit të tjetrit.

Flamuri kombëtar shqiptar do të valojë në Luginën e Preshevës!