Lajme

Kryeministrja serbe: Djali i Vuçiq-it është në rrezik

Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka deklaruar se jeta e djalit të presidentit serb, Danilo Vuçiq, është në rrezik, meqë ai po përcillet gjatë gjithë kohës.

Brnabiq shtoi se është e papranueshme ajo që i ka ndodhur djalit të Aleksandër Vuçiq, duke iu referuar një raportimi të disa ditëve më parë, kur një media në Serbi e kishte fotografuar në një lokal Danilo Vuçiqin.

Vuçiqi i ri ishte parë në një lokal në Beograd në shoqëri të Aleksandër Vidojeviq, një anëtar famëkeq i grupit huligan Janissaries – tifozët e klubit beogradas Partizanit.

Por, këto raportime i ka kritikuar udhëheqësja e qeverisë së Serbisë.

“Të gjithë e dinë se ku është, me kë është, çfarë po bën dhe kjo është një kërcënim serioz i sigurisë”, tha Brnabiq, në një intervistë për televizionin H1.

Ajo shtoi se “fëmijët nuk duhet të ekspozohen ndaj ngacmimeve vetëm sepse prindërit e tyre janë politikanë”.

Brnabiq pohoi se reagimi i saj nuk po vjen nga fakti se bëhet fjalë për djalin e presidentit, porse kështu do reagonte edhe nëse do të bëhej fjalë për djalin e ndonjë politikani tjetër, apo çdo të riu në Serbi, të cilit i monitorohet përditshmëria.