Lajme

Qeveria Kosovës vendos: Nga 22 qershori hapen të gjithë kufijtë tokësorë

Qeveria e Kosovës ka votuar pro për hapjen e disa pikave të tjera të kufijve tokësorë.

Qeveria e Kosovës ka votuar që më 22 qershor të hapen edhe pikat kufitare në Qafë-Prush, Qafë-Morinë, Muçibabë e Mutivodë.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, gjatë prezantimit të tij ka kërkuar që ky vendim të hyjë në fuqi menjëherë dhe i cili do të fillojë të zbatohet më 22 qershor.

Sipas Zemajt, kjo kërkesë për ndryshim është bërë për shkak të fluksit të qytetarëve.

“Kërkesa e MSH-së konsiston të plotësohet të ndryshohet pika e pestë e Qeverisë, në të cilën ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare që u hapën më parë dhe është parë e domosdoshme që për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që të hapen edhe pikat e tjera, Qafë-Prush, Qafë-Morinë, Muçibabë e Mutivodë. MSH-ja parasheh që gradualisht të hapen edhe pikat e tjera kufitare. Ajo çka kisha dashur, që ju kisha lutur që të jetë e përcaktuar që ky vendim të hyjë në fuqi më 22 qershor të këtij viti”, deklaroi Zemaj, raporton më tutje.

Zemaj po ashtu kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të zbatojnë të gjitha rekomandimet e MSH-së dhe të IKSHPK-së për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit.

Ai po ashtu theksoi se gjatë ditës së sotme do të publikohet edhe manuale për mbrojtjen nga përhapja e koronavirusit, manual ky i cili, sipas Zemajt, do të zbatohet në përpikëri nga të gjitha institucionet, qofshin shtetërore ose private.

Po ashtu Zemaj kërkoi nga kryeministri Hoti që mbledhjet e ardhshme të Qeverisë së Kosovës të mbahen në një sallë tjetër, e cila edhe mundëson që të ketë distancë të mjaftueshme.

Theksojmë se deri më tani kufijtë tokësorë, të cilët kanë qenë të hapur, janë: Dheu i Bardhë, Vërmica, Merdara dhe Jarinja.