Lajme

Kryeministri Haradinaj tregon se kur do të hiqet taksa ndaj Serbisë

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka thënë se për heqjen e taksës ndaj Serbisë, fillimisht duhet një kontratë në të cilën theksohet qartë që do të ketë njohje reciproke dhe nuk do të ketë prekje të territoreve.

Haradinaj në konferencën për media ka thënë se përderisa kjo kontratë nuk është në tavolinë, nuk mund të diskutohet për pezullim të taksës apo ndonjë veprim tjetër.

“Shpresojë edhe ne që sa më shpejt të vije dita kur anulohet taksa dhe hynë në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë Kosovë – Serbi, por për këtë nevojitet kontrata, me gjithë kapitujt e vet, pra për njohjen reciproke. Një kontratë që nuk bazohet në ndryshim të kufijve dhe territoreve që nuk merr për bazë një Republikë Srpska apo një pushtet tretë siç jemi mësuar me i thënë. Sa ma shpejt që e kemi në kontratë në tavolinë garantuar prej ndërmjetësuesve atëherë do t’i shqyrtojmë të gjitha, përderisa nuk kemi një kontratë në tavolinë sepse është folur për territore për gjëra të rrezikshme atëherë nuk kemi pse me shqyrtu pezullimin apo një veprim të caktuar”, ka thënë Haradinaj, shkruan Insajderi.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se deri tani me Serbinë është zhvilluar një dialog për t’a dobësuar Kosovën dhe më i bë dëme vetëm Kosovës, sipas tij nuk preferohet që një proces i tillë t’i kushtojë vetëm vendit tonë.

“… le të na kushton të dy palëve dhe le të vetëdijesohemi. Ne jemi për t’u rikthyer dialogu sa më shpejt pa e lidhur me taksën, për një marrëveshje që do të përfundonte me njohje reciproke, por jo për një marrëveshje ku përmendet ndryshimi i kufijve dhe territoreve”, ka theksuar kryeministri.

Ndryshe, presidenti i vendit, Hashim Thaçi e ka cilësuar si të rrezikshme idenë e kryeministrit për mos – heqje të taksës së vendosur ndaj Serbisë. Sipas, tij Kosova do të stagnojë për anëtarësim nëpër organizata të ndryshme dhe do të prish miqësinë me SHBA-të, falë insistimit të kryeministrit që taksë të qëndrojë dhe rrjedhimisht mos të ketë vazhdim të dialogut me Serbinë.