Kronologjia e vizitës nga delegacioni i deputetëve kosovarë, në Luginën e Preshevës
Kërkesë kryesore e drejtuesve të pushtetit lokal në Preshevë karshi deputetëve kosovarë ishte krijimi i Fondit Kombëtarë të Solidaritetit, hapja e një zyre koordinuese për shqiptarët e Luginës dhe përfshirja e shqiptarëve në kuadër të vendit të rezervuar për një Organzatë jo-Qeveritare(OJQ), në ekipin negociatorë të Kosovës në bisedimet me Serbinë në Bruksel.
Ndërsa, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ka kërkuar përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në marrëveshjen përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë.
Me këtë rast ai ka shprehur bindjen se çështja e Luginës duhet të jetë temë në tavolinën e negociatave mes Serbisë e Kosovës, duke “pasur parasysh se një mori problemesh të shqiptarëve të Luginës së Preshevës janë pjesë përbërëse e kontekstit Kosovë-Serbi”. Ka shtuar se përfshirja e Luginës së Preshevës në marrëveshjen përmbyllëse garanton paqe të qëndrueshme mes vendeve e popujve në rajon.