Kronikë zgjedhore/ PDSH edhe sot vazhdoi promovimin e programit politik të saj
Kandidati për të parin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe kandidatët për këshilltar në Kuvendin Komunal nga qyteti i Preshevës patën rastin të bisedojnë me qytetarë të shumtë për të diskutuar mbi problemet me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë
Përfaqësuesit e PDSH-së vizituan shumë hapësira dhe objekte institucionale, duke filluar nga objekti i Komunës së Preshevës, projekte që ka projektuar dhe implementuar PDSH-ja gjatë qeverisjes së saj, lagjet e ndryshme duke biseduar kokë më kokë me qytetarët, gjithashtu lloje të ndryshme të bizneseve në këto hapësira.
PDSH-ja kritikoi punën e pushtetit lokal që ka lënë anash një mori obligimesh të domosdoshme për qytetin e Preshevës, si mos rregullimin e trotuareve, mos implementimin e programit për parkimin e veturave, mos pajisjen e qytetit me sinjalizues urbanistik-semafora e të tjera projekte të rëndësishme për qytetin.
Kështu, PDSH-ja shpalosi programin e saj qeverisës për mandatin e ardhshëm për qytetin e Preshevës duke u premtuar vëmendje dhe projekte të përhershme në fushën e urbanistikës, në rregullimin e infrastrukturës rrugore, në aspektin e zhvillimit ekonomik, respektivisht ndihmesë të konsiderueshme përmes subvencioneve të ndryshme në bizneset e vogla dhe të mesme. Gjithashtu, qytetarëve në përgjithësi iu premtua themelimi e një muzeu etnografiko-historik, ku do të mblidhen të gjitha artefaktet e karakterit historik, me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë tonë historiko-kombëtare, si dhe ngritjen e hapësirave të reja të gjelbëruara.
Qytetarëve të qytetit të Preshevës iu kërkua mbështetja për PDSH-në sepse ajo është e vetmja parti politike që do t’ia kthej dinjitetin, nderin dhe profesionalizmin institucioneve të Komunës së Preshevës.