Opinione

Krimi luftohet- regjimet rrëzohen

fatos-lubonja-1-300x225

FATOS LUBONJA  

“Përse u çuditët kaq shumë ju me përgjimet e fundit të gazetës gjermane ‘Bild’ – më shkruante një qytetar pas emisionit ‘Të paekspozuarit’ të së enjtes – prisnim gjermanin ne të na i thoshte? Sikur nuk i dinim”. Kishte të drejtë. Duke perifrazuar Pasolinin, do të thosha se regjistrimet që botoi “Bild” janë “prova” e bëmave që ne “i dimë” (nëpërmjet deduksionit, intuitës, krahasimeve etj.), por që shpesh s’mund t’i themi sepse ato (provat) i kanë “ata” (të pushtetit). Në sajë të një rrjedhjeje nga Prokuroria, ne i morëm disa nga këto prova dhe, si për të provuar rëndësinë që ka mbajtja fshehur e tyre, pamë se njerëzit e pushtetit, në vend të reagimit të menjëhershëm ndaj lajmit filluan kërcënimin dhe denigrimin e lajmësve.

Por, edhe përsa u përket provave, nuk është se na kanë munguar të tilla – do të thosha unë. Atëherë, pyetja shtohet: a shtojnë diçka të re të rëndësishme provat e nxjerra nga “Bild” apo janë në vazhdën e denoncimeve të zakonshme? Gjykoj se ato përcaktojnë një pikë vlimi për ndërgjegjësimin, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të ndryshimit thelbësor dramatik që ka ndodhur në vendin tonë me ardhjen e Edi Ramës në pushtet. Le të përpiqem ta shtjelloj shkurt teorikisht se ç’kuptoj me këtë “pikë vlimi”.

Në librin e tij “Shkenca e logjikës”, Hegeli parashtron dy teorema që kanë rezultuar profetike për kohën që jetojmë. Teorema e parë është ajo sipas së cilës themelet e pasurisë së një kombi nuk janë të mirat materiale që zotëron ky komb, siç thoshte Adam Smithi, por instrumentet që prodhojnë këto të mira. Teorema e dyta, edhe më e rëndësishme se e para, është ajo sipas së cilës kur një fenomen shtohet në sasi nuk kemi vetëm ndryshime sasiore, por ndodhin edhe transformime cilësore, siç ndodh p.sh. në natyrë kur një lëng, pas një rritjeje të caktuar të temperaturës, shndërrohet në gaz apo në shoqëri kur, nëpërmjet shtimit të disa fenomeneve ekonomiko-shoqërore, kalohet nga një sistem në një tjetër.

Marksi, duke iu referuar teoremës së dytë të Hegelit, thotë se ne jemi mësuar të mendojmë se paraja është një mjet për të arritur qëllime të caktuara, të tilla si kënaqja e nevojave tona dhe prodhimi i të mirave materiale, por kujdes – thotë ai – se po u shtua paraja aq shumë në sasi sa të bëhet kushti universal për të realizuar çdo qëllim dhe çdo lloj nevoje, atëherë ajo nuk është më mjet, por shndërrohet në qëllimin e parë, nga i cili, pastaj, do të varen edhe qëllimet tona të tjera, nevojat tona e me radhë.

Le t’ia aplikojmë tani këto argumente universale realitetit tonë. Duke iu referuar teoremës së parë hegeliane, duhet të themi se themelet e pasurisë të kombit tonë nuk janë pallatet, kullat, vilat, supermarketet, fshatrat turistike, e më the të thashë, që kemi ndërtuar, por mjetet e prodhimit të tyre. Dhe, nëse mjeti kryesor i prodhimit të tyre është krimi, siç më rezulton, kjo do të thotë, sipas Hegelit, se krimi është pasuria jonë më e madhe kombëtare. (Ju kujtoj se gazetari i “Bild” shtroi pikërisht këtë pyetje: me çfarë paraje kryhen tërë ato ndërtime në Shqipëri?). Duke aplikuar teoremën e dytë do të thosha se për shumë kohë ne kemi menduar se krimi është një mjet, nëpërmjet të cilit ne kemi plotësuar nevojat tona. Mirëpo ajo që ka ndodhur ndër vite është se fenomeni i krimit është shtuar aq shumë në sasi saqë ka ndodhur ndryshimi cilësor për të cilin flet Hegeli dhe Marksi. Ai është shndërruar nga mjet në qëllimin e parë, të cilit i nënshtrohen të gjitha qëllimet e tjera tonat. Ja ku mbërrita në atë që dua të them lidhur me “pikën e vlimit”: përgjimet e fundit të botuara nga “Bild” na ndërgjegjësojnë për transformimin cilësor që ka ndodhur te ne me rritjen sasiore të krimit; për kalimin në regjimin, ku qëllimet tona, jeta jonë, përcaktohen nga ky qëllimi i parë: krimi. E në këtë moment, çështja nuk shtrohet më se çfarë bëjmë ne me krimin, por se çfarë bën krimi me ne. Më konkretisht, kjo do të thotë se është krimi, që në këtë regjim përcakton se kush do të jenë e si duhet të sillen parlamentarët, kryetarët e bashkisë, Kryeministri, prokurorët, Policia e me radhë, e me radhë. Në këtë moment historik nuk shtrohet më çështja, siç e shtrojnë me naivitet disa: si nuk u ngopën këta me pushtet dhe me para, apo se Rama e Gjushi, duke mos pasur më nevojë për krimin, do të ndërpresin lidhjet me të dhe do të kthehen t’u shërbejnë qytetarëve. Në këtë moment çështja shtrohet se është krimi që i dikton Ramës dhe Gjushit dhe nëpërmjet tyre edhe Policisë, edhe drejtësisë, edhe ne të gjithëve se ç’duhet të bëjmë. Me një fjalë të vetme ky hop cilësor është etiketuar së fundmi me fjalën narkoshtet, që nuk është rastësi që ka hyrë për herë të parë në historinë e shtetit tonë në kohën e Ramës. “Narkoshteti i parë në Europë” na cilësonte së fundmi edhe portali kanadez “Vice”.

Problemi është se mbështetësit e Ramës – fatkeqësisht edhe euroburokratët e Brukselit që bëjnë raporte e rekomandime për vendin tonë – vazhdojnë të arsyetojnë me kategori të tejkaluara “shtet – korrupsion”, “shtet – krim” sikur të jemi ende në kohën e Nanos apo Berishës, ku shteti ekzistonte si një entitet më vete që vuante nga korrupsioni dhe krimi i organizuar, por ende nuk mund të identifikohej me vetë sëmundjen. Provat e fundit të sjella nga “Bild” e sollën në gjendjen e avullimit këtë perceptim të Shqipërisë, duke zbuluar se me lazaratizimin e krejt vendit, me përfshirjen masive të Policisë në trafikim, me infiltrimin masiv të krimit në ekonomi e në zgjedhje, shteti dhe krimi nuk janë më dy entitete të ndara, po një entitet i vetëm. Shqipëria e Ramës, pra, nuk qeveriset nga një shtet që ka edhe krimin dhe mafien e vet, por është shndërruar në një regjim të krimit dhe mafies së vet. Këtë konkluzion e ka arritur edhe gazetari gjerman i “Bild”, Peter Tiede.

Në këto kushte, duhet shtruar ndryshe ai që Carl Schmitt e quan problemi numër një i politikës: identifikimi i armikut që duhet luftuar. Është gabim të vazhdojmë të mendojmë me kategoritë e euroburokratëve se armiku numër një për t’u luftuar është krimi dhe korrupsioni. Në stadin ku kemi arritur, armiku për t’u luftuar është narkoshteti, në të cilin institucionet kryesore, duke filluar që nga Kryeministria e deri te zgjedhjet, janë shndërruar në instrumente të krimit. Nëse krimi dhe korrupsioni luftohen nga shteti, shteti i kthyer në regjim të krimit duhet të rrëzohet me mjete të tjera./ponorama.al