Lajme

Konfirmohet: Viti shkollor në Kosovë nis më 14 shtator

Deri më 14 shtator do të përfundojnë përgatitjet e nevojshme, në mënyrë që viti i ri shkollor të nisë pa vonesa të reja, zotohet Ministria e Arsimit.

Ky është konfirmimi që vjen nga Ministria e Arsimit e Kosovës.

“Është vlerësuar se përgjithësisht shkollat janë të përgatitura, përjashtimisht disa shkollave që kanë pasur nevoja plotësuese për fillimin e mësimit, të cilat janë evidentuar dhe punuar me to në përmirësim të kushteve. Vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor do të bëhet në faza për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në bashkëpunim të plotë me MSH dhe IKSHPK-në, DKA-të, Këshillin e prindërve dhe sindikatat, në bazë të vlerësimit të situatës epidemiologjike në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit për TV Dukagjinin, përcjell Albinfo.ch.

Se shkollat dhe mësimdhënësit janë gati për procesin e ri mësimor, e tha edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari.

“Ne si SBASHK themi se mësimdhënësit janë të gatshëm për fillimin e vitit shkollor, duke marrë informacione se janë bërë përgatitje edhe për ata, edhe për fëmijët se do të mbrohen nga virusi COVID-19”, ka deklaruar Rrahman Jasharaj.