Komandanti amerikan: SHBA-ja e gatshme për ta parandaluar dhunën në veri
Trupat paqeruajtës amerikane në Kosovë janë të pajisura mirë dhe janë të gatshme për ta parandaluar dhunën në veri, që shpesh ka qenë në qendër të trazirave, ka thënë njëri prej komandantëve të KFOR-it, Ross Walker.
NATO ka përforcuar praninë me 1.000 trupa të tjera pas sulmit paramilitar serb në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Më shumë se 570 ushtarë amerikanë shërbejnë nën misionin e udhëhequr nga NATO, i cili në total ka rreth 4.500 trupa të dislokuara në veri të Kosovës.
Edhe pse jemi të gatshëm të reagojmë ndaj çdo gjëje, dëshira jonë është që gjithmonë t’i bëjmë gjërat fillimisht përmes një dialogu paqësor”, ka deklaruar Walker.
Në dhjetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se agjencitë serbe të sigurisë po trajnonin njerëz për të kryer sulme të tjera, të cilën Serbia e ka mohuar.
Së fundmi, vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për të ndaluar përdorimin e dinarit dhe që euroja të jetë valuta e vetme në vend, ka nxitur tensione. Megjithatë, ka pasur vetëm protesta paqësore nga serbët në veri, ndërsa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje që të shtyhet ky vendim. Por deri tash nuk kanë hasur në mirëkuptim të Qeverisë së Kosovës.
“Ne jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur për të reaguar ndaj çdo gjëje që mund të ndodhë këtu tani”, ka thënë kolonel Ross Walker të premten në një intervistë për Reuters.