KKSh propozon për herë të parë një pëfaqëdues në Këshillim e Rregullatorit për Media Elektronike në Serbi
𝐊𝐊𝐒𝐡 𝐩𝐫𝐨𝐩𝐨𝐳𝐨𝐧 𝐩𝐞̈𝐫 𝐡𝐞𝐫𝐞̈ 𝐭𝐞̈ 𝐩𝐚𝐫𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐩𝐞̈𝐫𝐟𝐚𝐪𝐞̈𝐬𝐮𝐞𝐬 𝐧𝐞̈ 𝐊𝐞̈𝐬𝐡𝐢𝐥𝐥𝐢𝐧 𝐞 𝐑𝐫𝐞𝐠𝐮𝐥𝐥𝐚𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐩𝐞̈𝐫 𝐌𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐄𝐥𝐞𝐤𝐭𝐫𝐨𝐧𝐢𝐤𝐞 (𝐑𝐄𝐌)
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi, si institucion përfaqësues i interesave kombëtare, ku pjesë të kompetencave të tij ka edhe informimin, si njëra ndër shtyllat e tij, ka vendosur që për herë të parë të shfrytëzojë të drejtën për të propozuar një anëtar në Këshillin e Rregulatorit për Media Elektronike (REM), një institucion kyç në mbikëqyrjen dhe rregullimin e përmbajtjeve mediatike në Serbi.
Kandidatura e propozuar javën e kaluar, është znj. Lumturije Limani – Ameti, ndër të paktat gazetare dhe moderatore femra me përvojë dhe që plotëson të gjitha kriteret e vendosura nga REM. Ajo është e njohur për profesionalizmin dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në mbrojtje të vlerave shoqërore dhe të drejtave të komunitetit shqiptar, përmes angazhimit të gjatë në jetën publike dhe shoqërore.
Me mbi 15 vite përvojë pune në gazetari, znj. Limani – Ameti duke qenë aktive në një televizion lokal në Luginën e Preshevës (Radio Televizioni i Bujanocit), ka sjellë në ekran tematika të ndjeshme për shoqërinë, me fokus tek edukimi, informimi, kultura dhe të drejtat e grupeve të margjinalizuara. Ajo njihet për qasjen serioze dhe përgjegjëse, për mënyrën se si ka trajtuar çështje sociale me interes të veçantë sidomos te komuniteti shqiptar në Luginë të Preshevës, si dhe për rolin që ka luajtur në krijimin e një diskursi më përfaqësues dhe të ndershëm në media.
Ky propozim nga ana e KKSh-së vjen në një kohë kur pjesa më e madhe e mediave në Serbi janë të uzurpuara dhe të kontrolluara politikisht nga partia në pushtet, duke anashkaluar vazhdimisht tema me interes të veçantë, e aq më pak nevojën për trajtim të barabartë të komuniteteve joshumicë. Kurse në anën tjetër shqiptarët vazhdojnë të portretizohen në mënyrë paragjykuese në shumë media elektronike, e shumë shpesh duke qenë objekt i gjuhës së urrejtjes dhe stigmatizimit të qëllimshëm, gjuhës kriminalizuese dhe ofenduese të vazhdueshme që paraqitet në shumicën e mediumeve.
REM ka një rol kyç në adresimin e këtyre fenomeneve dhe ka për qëllim respektimin e drejtave të njeriut dhe standardet ndërkombëtare për përfaqësim të drejtë. Për këtë arsye, është jetike që komuniteti shqiptar të ketë zërin e vet brenda këtij institucioni, një zë i informuar, i balancuar dhe i aftë për të ngritur çështjet që shqetësojnë shqiptarët por edhe grupet e tjera etnike me probleme të ngjashme, e për të kërkuar llogari institucionale.
Propozimi i znj. Lumturije Limani – Ameti nga Këshilli Kombëtar Shqiptar është një hap i rëndësishëm drejt një përfaqësimi real në institucionet rregullatore të shtetit dhe një veprim i rëndësishëm për KKSh në shtrirjen e veprimeve konkrete në fushën e informimit, si një shtyllë e rëndësishme e institucionit më të lartë shqiptar.
Hapi i radhës është votimi i kandidatëve të dorëzuar nga institucionet, të votohen në Parlamentin serb nga ku do të dalin anëtarët e rinj të Këshillit të Rregullatorit për Media Elektronike.