KKSH-në në Medvegjë e vizitoi zyrtari amerikan në Beograd, Thomas Lee
Përmes një informate për publik, KKSH ka bërë të ditur, se zyrën e këtij institucioni në Medvegjë e ka vizituar zyrtari i Ambasadës amerikane në Beograd, Thomas Lee.
“Në zyrën e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë sot qëndroi Zyrtari Politik i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z.Thomas Lee
Padyshim tema kryesore gjatë këtij takimi ishte pasivizimi i adresave të shqiptarëve në këtë Komunë, ku z.Lee i shfaqëm brengat se një gjë e tillë po ndodhë me qëllim të ndryshimit artificial të strukturës etnike të popullsisë në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës në përgjithësi.
Zyra e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Medvegjë po kthehet dalëngadalë si adresa kyçe që mbron dhe avancon çështjen e shqiptarëve të kësaj komune. Me aktivitetet e saj vazhdimisht po tregon që është institucioni i vetëm që buron nga shqiptarët dhe flet për shqiptarët e kësaj komune dhe të drejtat e tyre” – thuhet në njoftimin e publikuar nga KKSH./luginalajm