Lajme

Këta janë dy të rinjtë kosovarë që vdiqën në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ duke rënë në humnerë

Arianit Bytyqi, 26 vjeçar dhe Gentrit Gallopeni, 20 vjeç janë dy personat që kanë ndërruar jetë si pasojë e rënies në një humnerë në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në momentin që kanë kaluar mburojën e trasesë së parë të autostradës dhe duke tentuar të kalojnë në trasenë tjetër kanë rënë në humnerë pasi që hapësira në mes dy traseve është afër 3 metra.

Që të dy ishin kondukterë në kompaninë e autobusëve “Sharr Travel”.

Policia e Kosovës ka sqaruar rrethanat e ngjarjes, duke bërë të ditur se sipas shikimit të vendit të ngjarjes dhe deklaratave të marra nga shoferët dhe dëshmitarëve, është konstatuar se dy viktimat kanë qene punëtorë të një kompanie kosovare e cila ofron shërbime të udhëtimit brenda dhe jashtë Kosovës.
Policia thotë se autobusët ishin ndalë në kundërshtim me ligjit, me ç’rast tre shoferëve i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.

‘’Me urdhër të prokurorit 3(tre) shoferë të autobusave të cilët janë ndalur në autostradë në kundërshtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë. Janë intervistuar një numër i dëshmitareve lidhur me rastin. Pas konsultimeve me Prokurorinë e Krimeve të Rënda është konstatuar se si pasoje e ndaljes se autobusëve në autostradë e qe bie në kundërshtim me ligjet në fuqi kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm me pasoje vdekjen pasi që dy viktimat kanë dalë nga autobusët.’’, tha Policia.