BotaKryesore

“S-400”, çfarë është në gjendje të bëjë arma që Rusia i shet Turqisë

Ka gjasa të ndodhë në korrik. Ka shumë shenja se Turqia do të jetë anëtari i parë dhe i vetëm i NATO-s, që do të marrë sistemin modern rus të mbrojtjes ajrore, S-400. Apelet e qeverisë amerikane për të anuluar marrëveshjen prej 2.5 miliardë dollarësh me Rusinë duket se ishin të padobishme.

Shqetësimi i Uashingtonit është: Moska do të spiunonte NATO-n përmes sistemeve të saj të armatimit. Në radhë të parë kjo vlen të thuhet për avionët luftarakë amerikanë F-35 shitjen e të cilëve SHBA kërcënon ta ndalojë në Turqi.

Sistemi i mbrojtjes ajrore i tipit S-400: fleksibël dhe i lirë

S-400 “Triumph” (Nato-Codename SA-21 Growler) është një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë dhe të mesme veprimi. Ky është modeli më i fuqishëm deri tani i një serie, që u zhvillua në Bashkimin Sovjetik pas Luftës së Dytë Botërore dhe u modernizua më vonë në Rusi. Numri 400 tregon rrezen maksimale të veprimit në kilometra. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë S-400 është shtylla kurrizore e mbrojtjes ajrore ruse. Ai u vendos në shërbim në vitin 2007. Që atëherë gjithnjë e më shumë njësi janë pajisur me të, duke përfshirë edhe gadishullin e aneksuar ukrainas të Krimesë dhe enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Balltik.

S-400 përbëhet nga automjete të ndryshme, një qendër komandimi, stacione të lëvizshme radarësh dhe raketahedhës. Prodhuesi është ndërmarrja shtetërore e mbrojtjes “Almaz-Antey”, e cila për shkak të veprimeve të Rusisë kundër Ukrainës ndodhet në listat e sanksioneve, si në BE dhe në SHBA. S-400 është zhvilluar për të nisur avionë, raketa balistike taktike dhe drone në lartësi deri në 27 kilometra. Mediat ruse pretendojnë se ai është më i mirë se sa konkurrenca nga SHBA apo Franca.

“Rusët kanë qenë gjithmonë kryesues në teknologjinë e raketave”, konfirmon Richard Connolly nga Universiteti britanik i Birminghamit. “Arsyeja ka qenë se Perëndimi prodhon avionë më të mirë. S-400 është gjithashtu shumë fleksibël dhe mund të përdoret me lloje të ndryshme të raketave”. Një tjetër avantazh është çmimi. “S-400 është të paktën dy herë më të lirë se sistemi amerikan “Patriot”, thotë Connolly.

Por për blerjen mund të ketë edhe arsye politike. Fakti që S-400 është projektuar për përdorim kundër armëve amerikane, mund të jetë tërheqës për Turqinë, thotë eksperti britanik. Bëhet fjalë për raste të tilla si përpjekja për grusht shteti në vitin 2016, kur aeroplani presidencial u kërcënua nga avionët luftarakë F-16. Eksperti ushtarak i Moskës, Alexander Golts beson se blerja e S-400 është thjesht politike. “Turqia nuk ka armiq për të luftuar me S-400. Ky është një sinjal për SHBA dhe të tjerët, që Ankaraja ka një politikë të pavarur të mbrojtjes”, thotë Golts.