Lajme

Këshilltari i presidentit Thaçi: Sveçla kërcënon deputetët me arrestime, Jabllanoviqit i dha leje për të lëvizur lirshëm

Adil Behramaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Xhelal Sveçla, si ushtrues detyre i ministrit të Punëve të Brendshme, dje i ka dhënë leje speciale për të lëvizur lirshëm në tërë territorin e Kosovës edhe Aleksandar Jabllanoviqit.

Behramaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Vetëvendosje në pushtet qytetarët i kanë izoluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kërcënojnë me arrestime, kurse Aleksandër Jabllanoviqit i japin edhe leje speciale për të lëvizur në tërë Kosovën.

Postimi i plotë i Behramajt:

“Xhelal Sveçla, si ushtrues detyre i ministrit, dje i paska dhënë leje speciale për të lëvizur lirshëm në tërë territorin tonë edhe Aleksandër Jabllanoviqit, ish-ministrit të shkarkuar, i cili nënat që nuk i kishin lejuar pelegrinët serbë të hynin në Gjakovë i kishte quajtur edhe egërsira. Lëvizja Vetëvendosje atëherë e kishte shfrytëzuar këtë deklaratë të poshtër të tij për të organizuar protesta të dhunshme gjithandej Kosovës, duke e djegur në fund edhe objektin e Qeverisë. Tash qytetarët i kanë izoluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kërcënojnë me arrestime, kurse Aleksandër Jabllanoviqit i japin edhe leje speciale për të lëvizur në tërë Kosovën. Na ka mbetur neve të skuqemi për paturpësinë e tyre!”, ka shkruar Behramaj.

Reagimi i këshilltarit të Presidentit vjen pasi ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit.