Këshilli Kombëtar Shqiptar dënon përjashtimin e përfaqësuesve të pakicave nga REM-i
Kuvendi i Serbisë ka votuar për përbërjen e re të Këshillit të Regullatorit për Mediat Elektronike (REM), duke zgjedhur tetë anëtarë nga propozimet e institucioneve dhe shoqatave serbe, ndërsa asnjë nga kandidatët e propozuar nga këshillat kombëtare të pakicave kombëtare — përfshirë edhe komunitetin shqiptar — nuk mori mbështetjen e nevojshme për t’u zgjedhur
Në reagimin e tij, Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSh) e ka cilësuar këtë vendim si dëshmi të qëndrimit përjashtues dhe ksenofob të qeverisë aktuale, duke theksuar se “as shqiptari, as boshnjaku nuk janë të pranueshëm për pushtetin në Beograd”.
Sipas KKSh-së, mënyra se si u zhvillua votimi tregon mungesë të vullnetit politik për përfaqësim të barabartë dhe përbën shkelje të frymës së Ligjit për Këshillat Kombëtare të Pakicave Kombëtare.
“Fakti që kandidatët e pakicave nuk morën asnjë votë mbështetëse është tregues i qartë i diskriminimit institucional,” thuhet në reagim.
Këshilli gjithashtu ka akuzuar REM-in se është “një nga institucionet më të politizuara në vend”, që në vend të garantimit të lirisë së mediave “është shndërruar në instrument të kontrollit dhe ndikimit qeveritar”.
Sipas KKSh-së, në mediat që mbikëqyren nga REM, shqiptarët vazhdojnë të portretizohen negativisht, ndërsa gjuha e urrejtjes ndaj pakicave, veçanërisht ndaj shqiptarëve, nuk sanksionohet.
“Përjashtimi i përfaqësuesve të pakicave nga REM do të thotë heshtje e qëllimshme ndaj diskriminimit mediatik dhe pamundësi që zëri i pakicave të dëgjohet në një organ që duhet të garantojë pluralizmin dhe barazinë në hapësirën mediatike të vendit,” thuhet në deklaratën e KKSh-së.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dënuar ashpër këtë praktikë përjashtuese dhe ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të barabarta të të gjitha pakicave kombëtare në institucionet shtetërore të Serbisë.
