Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mbështet propozimin e Mustafës për koalicion me AAK, Nisma-AKR dhe komunitetet
Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, me shumicë votash e ka mbështetur propozimin e kreut të partisë, Isa Mustafa, për të marrë “mandatin për formimin e Qeverisë, nëse ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje për të formuar qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma Socialdemokrate-AKR dhe komunitetet”.
Në letrën e që Mustafa ia ka dërguar KP të LDK-së, shihet se nga 124 anëtarë sa ka ky Këshill, këtij propozimi i janë përgjigjur 114 anëtarë, nga të cilët 108 janë shprehur pro një propozimi të tillë.
“Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur”, ka thënë Mustafa në këtë letër, raporton koha.
“Në bazë të kësaj, si kryetar i LDK-së, konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese për fomimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma Socialdemokrate-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, është shprehur kreu i LDK-së, Isa Mustafa.
Është kreu i LDK-së ai që nga anëtarët e Këshillit ka kërkuar që të deklarohen për një koalicion të këtillë, pavarësisht se nuk ka një procedurë që i ofron mundësinë këtij subjekti politik për ta formuar Qeverinë e re, pas mocionit të mosbesimit.
“Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm vitin e kaluar, në të cilën kemi diskutuar për koalicionet qeverisëse, kishim preferuar të bëhen përpjekje për koalicion pas zgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje. Këshilli u shpreh kundër një koalicioni LDK-PDK. Nuk ishte shprehur kundër koalicionit me AAK dhe me Nismën si dhe me partitë që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”, thuhej në letrën e Mustafës, adresuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.
“Meqenëse situata ka ndryshuar, kemi nevojë të përcaktohemi për koalicion të ri, në kushtet kur mbi bazën e kritereve kushtetuese do t’i ofrohej LDK-së ta bëjë shumicën për ta themeluar qeverinë”.
Mustafa kishte shkruar aty se Qeveria e ardhshme do të ketë si objektiva kryesore: përballjen e menjëhershme me pandeminë e COVID-19, rimëkëmbjen ekonomike nga pasojat e kësaj pandemie, përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, si dhe krahas këtyre objektivave edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit.