Kërkesë e madhe për specat e Kosovës në Zvicër
Pandemia përveç që ka pamundësuar vizitat e shumë mërgimtarëve nē familjet e tyre në Kosovë, këtë vit shumë prej tyre nuk kanë arritur as të shijojnë përplot produkte të cilat prodhohen në Kosovë, e të cilat shpesh i marrin edhe me vete kur kthehen në vendet ku jetojnë, raporton albinfo.ch.
Shija e specave të cilët kultivohen në Kosovë është e pazëvendësueshme. E këtë shije shqiptarëve që jetojnë në Zvicër po ua dërgon biznesmeni Rexhep Berisha, i cili jeton dhe vepron në Zvicër.
Vetëm këtë sezonë ai ka importuar nga Kosova për në Zvicër rreth 50 tonë speca.
“Ky produkt sezonal është mjaft i kërkuar, e sidomos këtē vit, sepse shumica e mërgimtarëve nuk patën mundësi të shkojnë në Kosovë shkaku i pandemisë.
“Sa i përket sasisë së importit në Zvicer të produktit te freskët- specit somborkë, kemi imprtuar mbi 50 tonë”, tregon Berisha në një bisedë për albinfo.ch.
Ai thekson se kërkesat jane të vazhdueshme dhe jo vetëm nga shqiptarët.
“Konsumatorë kryesorë janë shqiptarët, por edhe shtetasit e vendeve të rajonit dhe të vendeve të tjera”, thotë Berisha.
Për furnizimin me speca nga Kosova, të cilët pastaj i dërgon në Zvicër, Berisha thotë se bashkëpunon me disa fermerë kosovarë, të cilët janë të specializuar në këtë lëmi.
Ndryshe, Rexhep Berisha që nga viti 2009 merret me importimin e produkteve të Kosovës për në Zvicër. Ai thotë se produktet ‘Made in Kosova’ kanë kualitet, dizajn dhe cilësi të lartë dhe kërkesa për to është në rritje e sipër në Zvicër./Albinfo.ch