Shqipëri

KE nuk pranon kërkesën e Holandës për kthimin e vizave për Shqipërinë

Më 31 maj Holanda dorëzoi zyrtarisht në Komisionin Evropian kërkesën e saj për pezullimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

Një debat i gjatë u zhvillua në Parlamentin holandez për këtë çështje, ndërkohë që më pas u miratua dhe kërkesa e iniciuar nga deputetja Toorenberg.

Në një letër dërguar Eurokomisionerit për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitri Avramopoulos, Robert de Groot përfaqësuesi i përhershëm i Holandës në Bashkimin Evropian, ka paraqitur dhe argumentet e Parlamentit të tij për këtë kërkesë që përmblidhen në tre pika.

Afati për shqyrtimin e kësaj kërkese është një muaj, datë e cila përfundon sot. Një zëdhënës i komisionit europian bën të ditur se në situatën aktuale, rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen.

Pas një vlerësimi të kujdesshëm të përmbajtjes së njoftimit të marrë nga Holanda dhe bazuar në informacionin në dispozicion dhe të dhënat përkatëse, Komisioni konsideron se në situatën aktuale rrethanat për të nxitur mekanizmin e pezullimit të vizave nuk plotësohen. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë nga afër përmbushjen e standardeve të liberalizimit të vizave për Shqipërinë, si dhe për vendet e tjera që përfitojnë nga udhëtimi pa viza”, bën të ditur për tirananews.al zëdhënësi i KE-së.