Katër të vdekur dhe 84 raste të reja me Covid-19 në Shqipëri
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, përditësoi pasditen e sotme të dhënat e pandemisë, duke njoftuar se 97 qytetarë janë shëruar, janë identifikuar 84 raste të reja dhe janë shënuar 4 humbje jete në 24 orët e fundit.
Në komunikimin e përditshme për mediat, Dr. Rovena Daja në Instituti i Shëndetit Publik tha se gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë kryer 796 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 84 persona janë konfirmuar pozitivë me Covid-19.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 28 raste në Tiranë, nga 12 raste në Shkodër dhe Durrës, 7 raste në Kukës, 5 raste në Elbasan, 4 raste në Vlorë, nga 3 raste në Korçë, Mirditë, nga 2 raste në Berat, Kuçovë, nga 1 rast në Korçë, Kurbin, Kavajë, Kamëz, Divjakë, Malësi e Madhe. 97 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5020, që nga fillimi i epidemisë. Për të tretën ditë rradhazi, numri i të shëruarve është më i lartë se i rasteve të reja të konfirmuara me COVID19. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 175 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 9 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 43 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes”, tha ajo.
“Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht, në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen një 69 vjeçar nga Shkodra, 71 vjeçar nga Durrësi, një 77 vjeçar dhe 79 vjeçar nga Tirana me sëmundje bashkëshoqëruese, i shprehim ngushëllimet familjarëve”, u shpreh Daja.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel edhe një herë qytetarëve të respektojë në përditshmëri masat për frenimin e përhapjes së virusit:Lani shpesh duart dhe mos e prekni fytyrën; Ruani distancën mbi 1.5 metër në ambientet publike; Vendosni detyrimisht maskën në çdo ambient të mbyllur dhe kudo ku nuk është e mundur mbajtja e distances. Shmangni grumbullimet, ceremonitë e çdo lloji, pasi janë burim i përhapjes së infeksionit.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i rikujton gjithashtu bizneset se: Vendosja e maskës dhe barierrave mbrojtëse në shërbim në ambientet e mbyllura është e detyrueshme. Bizneset dhe institucionet publike duhet të zbatojnë me rigorozitet masat dhe protokollet e sigurisë për parandalimin e përhapjes së infeksionit.
“Nëse dyshoni se jeni i prekur ose keni shenja të sëmundjes duhet të qëndroni të izoluar, të kontaktoni menjëherë mjekun e familjes ose të telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare 127. Ministria e Shëndetësisë ka vënë në dispozicion të qytetarëve linjën e gjelbër 0800 40 40 për të kontaktuar për çdo informacion tjetër rreth COVID19”, tha Daja. am