Kastrati: Sulmi në veri, hakmarrje e Serbisë për moslejimin e zgjedhjeve në Kosovë
Katër sulme ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës kanë ndodhur në tri ditët e fundit në pjesën veriore të Kosovës, ku janë përdorur armë e mjete të ndryshme.
Ish-komandanti i FSK-së, gjeneral Kadri Kastrati thotë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri e kanë burimin në Beograd.
Kastrati në RTV Dukagjini ka thënë se qëllimi i sulmit më shumë se ushtarak ishte politik.
Unë mendoj se ky është lloj revanshizmi i Beogradit, apo iu është dhënë leje serbëve në Kosovë që të përdorin më shumë armë dhe mjete luftarake për arsye se serbeve të Kosovës nuk iu është dhënë leje për mbajtjen e referendumit dhe zgjedhjeve në Kosovë”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Gjenerali dyshon se Serbia e ka kuptuar që është në prag të një presioni të jashtëzakonshëm nga ndërkombëtarët për të arritur një marrëveshje finale për të njohur Kosovën.
“Serbia dëshiron ta prolongojë situatën aktuale, apo ta keqësojë edhe më tutje. Unë mendoj se kjo është me prapavijë politike”.
Megjithatë, Kastrati thotë se kjo që ndodhi në veri lidhet edhe më atë që po ndodh në Bosnje dhe e tëra kjo vjen nga shërbimet ruse.
Ish-komandanti i FSK-së thotë se Serbia po provokon strukturat e sigurisë së Kosovës me veprime të tilla.