Lajme

Kurti: Po na bëhet padrejtësi e dyfishtë

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka thënë se po synohet të formohet një qeveri jo vetëm pa fituesin e zgjedhjeve të fundit, që është VV-ja, por edhe kundër saj.

Ai duke komentuar ngjarjet e ditës së sotme, ku presidenti Hashim Thaçi i kërkoi LDK-së si parti e dytë, të dërgoi emrin e mandatarit për kryeministër, tha se posa të marrë zyrtarisht vendimin do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Të shohim dokumentet zyrtare me tekst e nënshkrime poshtë. Pastaj do të japim vlerësimet tona”, tha Kurti në konferencën e mbajtur para objektit të Qeverisë.

Ai vlerësoi se Thaçi me veprimet e fundit për të krijuar qeveri të re pa fituesin, është shkelje e Kushtetutës dhe e aktgjykimit kushtetues të vitit 2014.

“Në vitin 2014 ne kemi konsideruar se shumica parlamentare krijohet në Kuvendin e Republikës, mirëpo pati një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese që e definoi shumicën si shumicë absolute dhe si shumicë relative, që i pari në garë përben shumicën relative. Ne ishim kritikë atëherë, por e kemi pranuar vendimin. Atëherë e akuzuan VV-në se nuk po e pranon të parin në garë. Në vitet në vijim, 2015 e tutje, ne patëm pranuar këtë aktgjykim. Dhe tash dolëm të parët në garë dhe po na thonë hajde të kthehemi në vitin 2014. Pra ndryshuan rregullat e lojës. Po na bëjnë padrejtësi të dyfishtë, edhe më 2014 edhe tash”, tha Kurti.

Sipas tij, nëse qeveria e re bëhet, atëherë ajo do të jetë e varur nga Lista Serbe.

“Presidenti me kalimin e kompetencave të tij po tenton të krijojë një vullnet politikë. Nga pavarësia, ne kishim një qeveri që nuk varej as prej PAN-it e as prej Listës serbe. Tash do të jetë e varur prej të dyjave. Pra nga një qeveri e pavarur në një me varësi të dyfishtë”, shtoi kryeministri në detyrë.