Kapen 5 shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës pa letra pune në Gjermani
Policia Federale Rosenheim akuzon një shofer shqiptar makine për kontrabandë. Shoferi 31-vjeçar është ndaluar të hënën në mbrëmje në autostradën A93, shkruan waserburgerstimme.de.
Në makinën e tij ishin tre shtetas shqiptarë të tjerë dhe një shtetas i Kosovës. Asnjë nga të ndaluarit nuk kishte letrat që kërkohen për qëndrim pune, transmeton albinfo.ch. Ideja spontane e tyre për të thënë se kanë hyrë në Gjermani si turistë nuk hoqi dyshimin e policëve ndaj tyre.
Policët kanë kontrolluar dokumentet e shoferit të makinës dhe të katër shoqëruesve të tij në Kiefersfelden. Të gjithë personat, të cilët ishin të regjistruar në Itali dhe të cilët kishin ardhur fillimisht nga Shqipëria ose Kosova, mundën të identifikohen me pasaporta nga vendet e tyre të prejardhjes dhe me lejet e qëndrimit për Italinë.
Kur u pyetën më në hollësi nga policia, ata thanë se dëshironin të qëndronin dhe të punonin në Gjermani. Por ata nuk ishin në gjendje të dëshmonin ekzistimin e një marrëdhënie të punës në ndonjë formë, pra nuk kishin kontrata të punës, përcjell albinfo.ch. Për më tepër, asnjë nga pesë personat e moshës 18 deri në 54 vjeçare nuk kishte një leje qëndrimi të veçantë për punë në Republikën Federale të Gjermanisë.
Të ballafaquar me këtë problem, ata thanë se qëllimi i udhëtimit të tyre kishte ndryshuar. Krejt papritur ata tani donin të ishin turistë, thuhet në një komunikatë të Policisë Federale të lëshuar sot, të hënën pasdite.
Ky pohim i tyre nuk arriti t`i bindte policët: rrobat e punës dhe mjetet që i kishin në bagazh të makinës flisnin për gjithçka përveç pushimeve.
Të katër personat janë arrestuar përkohësisht dhe janë raportuar për një përpjekje të paligjshme hyrjeje në Gjermani. Ndërkaq, shoferi shqiptar akuzohet për përpjekjen për të kontrabanduar me të huaj.
Pas përfundimit të masave të policisë, pesëshja e kapur u detyrua të largohej nga Gjermania. Ata u dëbuan në Austri, vendi nga i cili kishin hyrë në Gjermani.