Kandiq: S’ka normalizim marrëdhëniesh pa zbardhjen e krimeve të luftës
Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë ka mbajtur një tryezë ku është bërë prezantimi i raportit vjetor mbi monitorimin e gjykimeve të lidhura me krimet e luftës.
Me këtë rast, u kritikua zvarritja dhe mos zbardhja e plotë e krimeve të luftës në Kosovë, ndërsa u kërkua që në dialogun me Serbinë të ketë prioritet diskutimin për zbardhjen e krimeve të luftës.
Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj tha se prej përfundimit të luftës në Kosovë të dhënat për dënimin e personave përgjegjës për krime lufte nuk janë optimiste dhe se deri më tani ka vetëm mbi 50 raste, me mbi 100 të akuzuar për krime lufte.
Ndërsa, në vitin 2018, për këtë çështje ka pasur vetëm 2 aktakuza. Nga Ministria e Drejtësisë, Altin Ademi u shpreh se drejtësia nuk duhet të jetë hakmarrje dhe se askush nuk duhet t’i ikë përgjegjësisë.
Sipas tij, me Kodin e Ri të Procedurës Penale, me anë të gjykimit në mungesë pritët të rritet efikasiteti për krimet e luftës. Ai po ashtu bëri të ditur se brenda ministrisë së Drejtësisë e kanë themeluar një departament pikërisht për t’u marr me këtë çështje.
“Ajo çfarë në Kosovë ka ndodhur është e freskët dhe përballë kësaj nuk mundemi të ndihemi indiferent. Si institucione kemi përgjegjësi t’i adresojmë këto, qoftë me ndjekje penale, dhe jo vetëm. Me ligjin e ri për Prokurorinë e Shtetit, janë ndryshuar kriteret dhe me anë të gjykimit në mungesë pritet të ketë me shumë efikasitet në këtë drejtim”, u shpreh ai.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq u shpreh skeptike me gjithë zvarritjen e moszbardhjes së krimeve të luftës. Ajo deklaroi se ka pritur që të ketë më shumë përgjegjësi për këtë çështje, për këtë arsye Kandiq i bëri thirrje politikës që në diskutimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duhet të jetë prioritet diskutimi për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Kemi shumë fakte që do t’i shërbente prokurorisë, të cilat i kemi publikuar dhe në raport, politikanët do të duhet që të kenë parasysh se njëra nga prioritetet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është bashkëpunimi për zbardhjen e krimeve të luftës”, tha ajo.
Zëvendës Udhëheqësi i Misioni, nga Ambasada britanike, Tom Adamsi, tha se nuk është e lehtë për të diskutuar mbi krimet e luftës dhe se të gjitha viktimat kërkojnë drejtësi.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të kenë një plan strategjik.
“Të gjithë e dimë që 1600 persona janë ende të zhdukur dhe ka mijëra viktima të dhunës seksuale që kërkojnë drejtësi. Çdo viktimë kërkon drejtësi dhe drejtësia duhet të aplikohet për të gjithë. Sundimi i ligjit po përballet me disa sfida. Më duhet të pranoj se kjo nuk ka qenë mjaft mirë, mirëpo është forcuar që më shumë prokurorë të punojnë për zbardhjen e krimeve të luftës. Institucionet e Kosovës të ketë një plan strategjik për t’i referuar këtyre rasteve”, tha ai.