Lajme

Kancelari austriak para Trumpit: E mbështesim shkëmbimin e territoreve edhe pse është ide e rrezikshme

Kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka takuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump. Sipas ambasadorit amerikan në Vjenë, Trump tashmë e ka përzgjedhur Kurzin si ndërmjetës për komunikim me Bashkimin Evropian me të cilin nuk pajtohet rreth çështjeve të tregtisë. E i përzgjedhuri i Trump-it, kancelari Kurz, para nikoqirit të tij, sipas mediave austriake ka thënë se e mbështet korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë edhe pse e konsideron ide të rrezikshme.
Forumi i Aplbachut në Austri i organizuar nga kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka qenë vendi kur për herë të parë ka dalë në publik ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në atë forum, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksander Vuçiq, ngjizën publikisht idenë e tyre të përbashkët për korrigjim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve, si një lëvizje e cila do të dërgonte në zgjidhjen finale të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ai organizim në Alpbach, për shumë njohës të politikës së jashtme, u pa si një përpjekje e Kurzit dhe Austrisë për t’u përfshirë sa më shumë në çështjen e zgjidhjes së konfliktit shekullor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Që nga ajo kohë e deri sot, i vetmi politikan i huaj i cili ka dalë hapur në mbështetje të një ideje për lojë me kufijtë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është kancelari austriak, Kurz.

Ai mbështetjen e tij për korrigjimin e kufijve ia ka thënë sot edhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, administrata e të cilit ende deri sot nuk është shprehur eksplicit se e përkrah ose jo korrigjimin e kufijve.

Gjithçka që është thënë nga SHBA-të, ka qenë që e mbështesin një zgjidhje për të cilën pajtohen Republika e Kosovës dhe Serbia.

Përveç qëndrimit për korrigjim të kufijve, Kurz madje i ka kërkuar Trumpit edhe përfshirje më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Në Kosovë, SHBA-ja ka një pozitë shumë të fortë, gjë që mund të përdoret pozitivisht”, ka thënë kancelari austriak, raporton Gazeta Express.

Kurz i ka thënë hapur Trumpit që e mbështet idenë e shkëmbimit të territoreve edhe pse një ide e tillë konsiderohet e rrezikshme.

“Austria e sheh me mjaft pozitivitet dialogun ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe gjithashtu mbështet idenë për shkëmbim të territoreve edhe pse një gjë e tillë konsiderohet si e rrezikshme”, është shprehur Kurz në takimin me Donald Trump, sipas agjencisë së lajmeve austriake ATA.

Sipas tij nëse Kosova dhe Serbia pajtohen për diçka, atëherë askush nga BE-ja dhe SHBA-të nuk duhet t’i pengojë.

Megjithatë kjo ide është kundërshtuar nga Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe të gjithë shtetet e Ballkanit.

Kancelarja Angela Merkel e ka thënë hapur se nuk e mbështesin një ide për korrigjim të kufijve, sepse një gjë e tillë do të nxiste tensione në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kundër korrigjimit të kufijve kanë dalë edhe Kroacia e Sllovenia. Hiq më larg se dje, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka thënë se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk duhet të bazohet në parime etnike.

E shumë njohës të rrethanave në Ballkan, kanë thënë se ideja e korrigjimit është e rrezikshme sepse do të nxiste lëvizje të tjera edhe në Maqedoni e Bosnje e Hercegovinë.

Ndërkohë faktori politik në Kosovë ka qenë unik në kundërshtimin e idesë së korrigjimit të kufijve. Më i ashpër ka qenë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se prekja e kufijve të Kosovës nënkupton luftë.