Kamberi: Synimi ynë është të fitojmë 1 ose 2 deputetë, do t’i përfaqësoj të gjithë qytetarët e pakicës shqiptare
Shaip Kamberi, bartësi i listës zgjedhore të partive shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, thotë se qëllimi i koalicionit është të fitojë një ose dy mandate parlamentare në Kuvendin e Serbisë, në mënyrë që të “ngre zërin” dhe të vërë në dukje diskriminimin ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë. Kamberi tha se në Kuvend do të përfaqësojë interesat e të gjithë qytetarëve të jugut të Serbisë, sepse me shumë gjasa do të jetë i vetmi përfaqësues nga Bujanoci.
-Nëse parimi kushtetues është që shërbimet publike, institucionet shtetërore, madje edhe policia, duhet të pasqyrojnë strukturën e popullsisë në një komunë, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunat multietnike, dhe situata në terren është krejtësisht e ndryshme, atëherë po cenohet e drejta themelore e pakicës për pjesëmarrje në vendimmarrje në institucione të rëndësishme, të cilat vendosin për të drejtat e tyre – tha Kamberi në një paraqitje si i ftuar në RTS.
Sipas Kamberit, diskriminim praktikohet edhe në të drejtën e punësimit, pasi që 15 vite nuk njihen diplomat nga Kosova, edhe pse për këtë çështje ka tri marrëveshje, prandaj profesionistët e rinj po largohen nga kjo zonë.
Siç tha ai, Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë komunat me të ardhura më të ulëta, me shkallë më të lartë të papunësisë dhe pa investime konkrete për hapjen e vendeve të reja të punës.
-Ai problem i natyrës ekonomike është një problem i madh për të gjithë të rinjtë që ikin prej andej – shtoi Kamberi.
I pyetur nëse ka mundur të bëhet koalicion me listën “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”, e cila do të marrë pjesë edhe në zgjedhjet parlamentare, ai tha se ka pasur tentativa, por nuk kanë arritur marrëveshje.
Ka dallime politike, sepse ka një numër të madh partish në një zonë të vogël. Faktori i pushtetit lokal ndonjëherë është vendimtar, duke qenë se zgjedhjet lokale do të mbahen së shpejti, në pranverë – tha Kamberi.
Kamberi tha se mbështet procesin e dialogut në Bruksel dhe se është në interes të të dyja palëve dhe të gjithë rajonit që të arrihet një marrëveshje sa më shpejt që “si Serbia edhe Kosova të hyjnë në BE”.
Publiku në Serbi është i “bombarduar” me deklarata të rreme se kryeministri i Kosovës Albin Kurti është “përbindësh dhe terrorist”, siç thotë ai, duke theksuar se me atë njeri duhet të arrihet një marrëveshje për të ardhmen e komunitetit serb që jeton në Kosovë dhe e ardhmja e marrëdhënieve mes dy kombeve.
Në përgjigje të vërejtjes së prezantuesit se me kushtetutë Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë, Kamberi pyeti: “A është?”.
Po sikur presidenti i Serbisë të mos shkojë në Kosovë pa miratimin e autoriteteve në Kosovë? Nëse kryeministri nuk mund të shkelë në Kosovë pa qeverinë e Kosovës? Kë po gënjejmë? – tha Kamberi.
Ai tha gjithashtu se diskriminimi ndaj shqiptarëve është reflektuar edhe në ndalimin e përdorimit të simboleve të tyre kombëtare.
Kamberi ka qenë deputet në Kuvend edhe në dy mandate të të mëparshme (2014-2016, 2020-2022).