Të fundit

Kamberi sot në Beograd kërkoi miratimin e Rezolutës për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Deputeti Shaip Kamberi ka mbajtur sot një fjalim  në Kuvendin e Serbisë, ku ka kërkuar miratimin e Rezolutës për të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se barazia dhe zbatimi i ligjit janë kushte themelore për integrimin evropian të vendit.

Kamberi tha se flet në emër të dhjetëra mijëra qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, të cilët, siç u shpreh ai, “jetojnë mes ligjit dhe padrejtësisë” prej më shumë se dy dekadash.

“Nuk kërkojmë privilegje, por të drejtat që na takojnë me ligj”

Duke e cilësuar Rezolutën si një akt demokratik dhe evropian, Kamberi theksoi se ajo synon vetëm sigurimin e barazisë për shqiptarët në të gjitha fushat — nga përdorimi i gjuhës dhe simboleve, te përfaqësimi në institucione dhe ndalimi i pasivizimit të adresave.

“Nuk kërkojmë mëshirë, por respektim të së drejtës. Nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë”, tha ai.

Ai shtoi se praktika e pasivizimit të adresave u ka mohuar mijëra qytetarëve të drejtën e votës dhe të dokumenteve, ndërsa diskriminimi institucional vazhdon në shumë fusha: njohja e diplomave, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, mungesa e mbishkrimeve dygjuhëshe dhe mos-përfaqësimi në polici, gjyqësor e administratë.

Kritika ndaj institucioneve shtetërore

Kamberi kujtoi se Serbia ka nënshkruar disa marrëveshje dhe plane veprimi për integrimin e shqiptarëve (2001, 2009, 2013 dhe 2022), por asnjë prej tyre nuk është zbatuar në praktikë.

“Sot, funksionarë të Trupit Koordinues mohojnë edhe ekzistencën e Planit të Veprimit. Kjo është fyerje për ata që besojnë në dialog dhe institucione,” theksoi ai.

Thirrje për përgjegjësi nga Kuvendi

Deputeti shqiptar u kërkoi kolegëve të tij që ta mbështesin Rezolutën, e cila parashikon formimin e një trupi të pavarur parlamentar për hetimin e pasojave të pasivizimit të adresave, në bashkëpunim me OSBE-në dhe organizatat e shoqërisë civile.

Ai bëri thirrje për njohjen e diplomave të Kosovës, për respektim të gjuhës shqipe dhe përfaqësim të barabartë në institucionet shtetërore.

“Para anëtarësimit në BE, Serbia duhet të hyjë në Evropën e të drejtave”

Në përfundim të fjalimit, Kamberi theksoi se zbatimi i këtyre të drejtave nuk është një kërkesë etnike, por një domosdoshmëri demokratike dhe evropiane.

“Serbia nuk mund të hyjë në Bashkimin Evropian pa hyrë më parë në Evropën e të drejtave”, deklaroi ai, duke shtuar se shqiptarët nuk kërkojnë premtime të reja, por zbatimin e atyre që janë dhënë 20 vjet më parë./folonline