Kamberi: Shtetet e Ballkanit para Mini-Schengenit duhet të flasin për paqen
Sipas Belgzim Kamberit nga Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari”, shtetet e Ballkanit para se të flasin për liberalizim të tregut apo Mini-Schengen, duhet të flasin për paqen e vërtetë.
Ai ka thënë se mosgatishmëria e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të diskutojë për të drejtat e njeriut, por që është i gatshëm të flasë për kufijtë, ka shkaktuar tensionet në rajon lidhur me këtë iniciativë.
“Qe një vit dalin lloj-lloj konceptesh, fillimisht flasin për korrigjim kufijsh, nga një projekt për ndarje etnike, përfundon me një projekt të heqjes së kufijve. Kanë ndërtuar njëfarë mjegulle ku popujt e Ballkanit nuk e dinë se ku po shkojnë”, ka thënë Kamberi. “Nuk mundesh ti ta bllokosh dialogun Kosovë-Serbi dhe në anën tjetër të provosh me bë nisma e marrëveshje rajonale. Ai ka problem edhe me Bosnjën, jo veç me Kosovën. Këto shtete para se të diskutojnë për liberalizim të tregut, duhet të bisedojnë për paqen e vërtetë, si e njohin njëri-tjetrit në raport të reciprocitetit. Pra, i njëjti njeri i cili është i gatshëm t’i hapë kufijtë, nuk është i gatshëm të diskutojë për të drejtat e njeriut. Pikërisht kjo po shkakton tension”.
Në anën tjetër, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane ka thënë se mënyra se si po “e luan Kosova këtë lojë duke refuzuar pjesëmarrjen, po bën që Serbia të mund të dalë para faktorit ndërkombëtar dhe të thotë se ‘unë u përpjekja për të çuar përpara nismën rajonale, unë me zor nuk mundem t’i bëj ata ta pranojnë’”.